Vuçiç i kërkon Macron-it ta mbajë Kosovën lart në agjendën e BE-së
Aleksandër Vuçiç dhe Emmanuel Macron
SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar këtë të premte një bisedë telefonike me homologun francez, Emmanuel Macron. Raportohet se biseda mes tyre ka qenë e fokusuar tek çështjet që lidhen me marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës. Por detaje të tjera nga takimi, ka dhënë Presidenti serb përmes një postimi në rrjetet sociale.
Vuçiç shkruan se duhet një angazhim i fortë diplomarik, i cili duhet të synojë realizimin përfundimtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si bazë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe garantimin e sigurisë për popullin serb.
Vuçiç tha se me presidentin francez ka diskutuar edhe për sigurinë rajonale dhe stabilitetin ekonomik.
“Theksova se avokimi për dialog mbetet themeli i politikës së Serbisë në marrëdhëniet rajonale dhe faktori më i rëndësishëm në zgjidhjen e çështjeve të vështira me të cilat përballemi të gjithë ne”, shtoi Vuçiç.
Ai theksoi se ata diskutuan gjithashtu edhe për ndryshimet aktuale politike në kornizat evropiane dhe globale dhe ndikimin e tyre të mundshëm në Serbi, shkruan REL. Serbia dhe Kosova zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së, prej vitit 2011. Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohen më 26 qershor në Bruksel për herë të parë këtë vit./ZËRI
Burimi