Vrasja në Shkodër, viktimës iu gjet pistoletë në çantë, gati për qitje
Elis Rroshkodoli
SHKODËR- Policia e Shkodrës ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e ndodhur mesditën e sotme në zonën e Zdrales, ku mbeti i vrarë 36-vjeçari Elis Rroshkodoli. Policia njofton se viktimës i është gjetur në çantën e dorës një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se një person ka hyrë sot në ambientet e një lokali në Zdrale dhe ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Rroshkodolit, ndërsa nuk dihet ende nëse kamerat e sigurisë e kanë fiksuar momentin e ngjarjes.
NJOFTIMI I POLICISË: Rreth orës 12:30, në lagjen “Ahmet Haxhia”, në një lokal, dyshohet se një shtetas i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Rr., rreth 36 vjeç, banues në Shkodër.
Me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër.
Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe janë vënë në ndjekje të autorit.
Gjithashtu është ngritur një grup hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë, për sigurimin e provave për dokumentimin ligor të kësaj ngjarjeje.
Nga veprimet paraprake në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur në çantën e dorës të 36-vjeçarit E. Rr., 1 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje. Vijojnë veprimet dhe kontrollet intensive, për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Viktima e vrasjes në Zdrale u identifikua si Elis Rroshkodoli. 36-vjeçari nuk është një emër i panjohur për drejtësinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2023, ai u shpall në kërkim nga autoritetet rumune pasi plagosi një person. Sherri nisi në një qebaptore mes shqiptarit dhe pronarit të një klubi nate. Në atë kohë Rroshkodoli, i cili ishte 35 vjeç, u ngrit nga tavolina dhe me një thikë që ka pasur në dorë ka qëlluar pronarin e lokalit.
Po ashtu 10 vite më parë në 2014, ai u arrestua në Shkodër nga bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe asaj belge. Mbi të rëndonin akuzat si pjesëtar i një grupi kriminal, i cili ishte e specializuar në vjedhje dhe grabitje me dhunë. Në atë kohë Elis Rroshkodolit dhe grupit të tij iu sekuestruan një arsenal armësh dhe sende me vlerë.
Më konkretish, policia shqiptare, sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 150 mijë euro cash, 4 armë automatike, 2 pistoleta 1 pushkë, bizhuteri floriri, 3 makina luksoze dhe 2 motorë.
Autoritete belge kishin nisur hetimet ndaj grupit të tij qe prej vitit 2012. /ZËRI
Burimi