Vrasja në Shënavlash/ Dëshmitë kontradiktore të Edison Brahajt: Esmeraldi më dha 2 mln lekë, e ndihmova të hidhte trupin në pus!
Enver, Esmerald Balla dhe Edison Brahaj
DURRËS- Edison Brahaj ka dhënë dy dëshmi kontradiktore përpara hetuesëve të Policisë së Shtetit. I riu, i cili është arrestuar pasi dyshohet se ndihmoi Esmerald Ballën për të fshehur kufomën e babait të tij(Enver Ballës), në rrëfimin e tij të parë para uniformave blu u shpreh se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen. Madje pretendoi se të gjithë atë që kishte ndodhur e kishte zbuluar nga raportimet e mediave.
“Unë e kam shok Esmeraldin dhe vetë nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. Nuk dija asgje derisa e pashë në televizor se çfarë kishte ndodhur, dija vetëm që babi i tij ishte larguar nga shtëpia se kështu më kishte thënë vetë Esmeraldi dhe vetëm kaq. Që Enveri ishte vrarë, këtë e mësova vetëm nga lajmet që dolën në televizione. Unë e pranoj që kam njohje me Esmeraldin, por vetëm kaq, me ngjarjen nuk kam lidhje fare. As i kam dhënë ndihmë atij, as kam fshehur diçka në lidhje me vrasjen”, tha 25-vjeçari në dëshminë e tij.
Por vetëm pak orë më vonë është rimarrë në pyetje dhe ka ndryshuar të gjithë dëshminë e tij. Brahaj ka pranuar se ka qënë ai që e ka ndihmuar Esmerald Ballën për të hedhur në pus trupin e të atit, duke implikuar kështu edhe veten në krimin që tronditi vendin. Madje për ndihmën që i kishte dhënë mikut të tij, ishte “shpërblyer” me shumën prej 2 milionë lekësh të vjetra.
“Dëgjova dy të shtëna pastaj u thirra nga Esmeraldi për të zhvendosur trupin e viktimës. Isha disa metra larg vendit të ekzekutimit. Trupin si fillim e fshehëm në ferra. Më 14 gusht e hodhëm trupin në pusin e një standi tjetër.”
Edison Brahaj, 25-vjeçari, i cili u arrestua ditën e djeshme si bashkëpunëtor në vrasjen e Enver Ballës, nga djali i këtij të fundit Esmerald Balla. Brahaj është shoku i ngushtë i Esmerald Ballës, i cili dyshohet se ka ndihmuar në transportimin e trupit të Enver Ballës drejt pusit, ndërkohë që në banesën e tij është gjetur një shumë parash. Ngjarja e rëndë në Shënavlash u zbulua pak ditë më parë. Djali, 30-vjeç, vrau babanë pasi e akuzonte se kishte vjedhur para nga kasaforta që mbanin në shtëpi, ku kishin grumbulluar 75 milionë lekë të vjetra./ ZËRI
Burimi