Vrasja e Enver Ballës nga i biri, policia arreston një person të dytë, roli në krim

Vrasja e Enver Ballës nga i biri, policia arreston një person të dytë, roli në krim

Enver dhe Esmerald Balla

DURRËS- Policia e Durrësit ka vënë në pranga një person të dytë për vrasjen e 62-vjeçarit Enver Balla, nga djali i tij. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se personi i dytë që është vënë në pranga është shtetasi Edison Brahaj, shok i djalit të viktimës. Ai e ka ndihmuar Esmerald Ballën që të zhvendosë trupin e të atit, nga vendi ku e kishte vrarë, drejt pusit ku u gjet pasditen e djeshme nga ana e policisë së Durrësit. Në banesën e 25-vjeçarit të arrestuar u gjet dhe një shumë parash.
NJOFTIMI I POLICISË:
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 62-vjeçarit.
Vihet në pranga shtetasi që ndihmoi autorin e vrasjes së babait të tij, në fshatin Shënavlash, për të transportuar trupin e pajetë duke e hedhur në një pus.
Në vijim të veprimeve hetimore të pandërprera, lidhur me ngjarjen e ndodhur në fshatin Shënavlash, ku djali vrau me armë zjarri babain e tij dhe e deklaroi të larguar nga banesa, duke pretenduar se kishte humbur kontaktet me të, veprimet janë intensifikuar dhe si rezultat është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i bashkëpuntorit të tij, shtetasit E. B., 25 vjeç, banues në Sektor Rinia, Durrës.
Ky shtetas, i cili kishte lidhje shoqërore me autorin E. B., dyshohet se ka bashkëpunuar me të në transportimin me automjet të trupit të viktimës nga vendi i ngjarjes deri te vendi ku u gjet nga policia.
Gjatë kontrollit në banesën e E. B., u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh.
Për sa më sipër, ky shtetas u arrestua për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.
Vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Gjatë ditës së djeshme, pasi u vu në pranga nga Policia, Esmerald Balla pranoi se e kishte vrarë babanë në gjaknxehtësi e sipër, pasi sipas tij kishte zbuluar se 62-vjeçari kishte marrëdhënie me gra të tjera, kundrejt pagesës, duke prishur në këtë mënyrë kursimet që familja kishte, nga një biznes privat që kishin prej vitesh në zonën e Shënavlashit. Por hetuesit janë skeptikë për versionin e dhënë nga i riu, i cili ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve.
Në telefonin e tij janë gjetur prova, se vetë 30-vjeçari kontaktonte eskorta luksi që gjenden në faqe online, dhe linte takime me to kundrejt pagesës. Kjo duket se është bërë shkak që ai të merrte fshehurazi para nga kasaforta që gjendjen në banesën e Enver Ballës, dhe më pas mes babait dhe djalit kanë nisur konfliktet. Ai e deklaroi të zhdukur babanë e tij, duke i çuar dhe një mesazh të vëllait, me shkrimin se ‘Enveri ishte larguar nga shtëpia, për të nisur një jetë të re me një grua tjetër’./ZËRI 
Burimi