“Venecia” për mandatin e Olta Xhaçkës: Duhej zbatuar vendimi i Kushtetueses, por deputetët s’detyrohen si të votojnë! (REAGIMET)
Olta Xhaçka
TIRANË-Komisioni i Venecias ka publikuar raportin në lidhje me mandatin e deputetes së Partisë Socialiste Olta Xhaçka. Në konkluzionet e nxjerra nga Komisioni i Venecias, ekspertët dalin në përfundimin se Kuvendi duhet që të njohë detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si një “normë të gjithëditur”. Por po ashtu, Komisioni i Venecias thekson se pavarësisht se Kuvendi duhet që të njohë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, deputetët sërish nuk mund që të detyrohen të votojnë në një mënyrë të caktuar. Megjithatë shtojnë se gjithsesi vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë detyrim i deputetëve për të votuar në një mënyrë të caktuar, por si “një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës” dhe besnikërisë ndaj kushtetutës.
“Komisioni i Venecias konstaton se Kuvendi (mazhoranca) e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni analizon detyrimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese si parim i shtetit të së drejtës dhe parimit të besnikërisë ndaj kushtetutës. Ky Komision shpreh mendimin se dy vendimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës nuk duheshin kondicionuar nga votimi në Kuvend për zbatimin e tyre. Gjykatat kushtetuese duhet të respektojnë ndryshimet kushtetuese që bëhen nga legjislatori kushtetues (parlamentet), kur vijnë si përgjigje e zbatimit të vendimit të Gjykatës kushtetuese, me qëllim që të shmanget perceptimi i “qeverisë së gjyqtarëve” – “gouvernement des juges”,”-shkruhet ndër të tjera në opinion.
REAGIMET
Pas publikimit të opinionit të Venecias lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës, reagimi i parë ka ardhur nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gament Bradhi. Sipas demokratit, opinioni i Komisionit të Venecias, ka konfirmuar se qëndrimi i mazhorancës përbën një shkelje kushtetuese, duke mbështetur qëndrimin e opozitës se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kushtëzohet nga votimi i shumicës parlamentare.
“Përshëndes me mirënjohje Komisionin e Venecias për opinionin profesional që konfirmon edhe njëherë që qëndrimi i mazhorancës ishte puç kushtetues ndaj shtetit ligjor. Qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare. Edhe njëherë mashtrimi i Kryetares së Kuvendit me lajme fake të shpërndarë disa ditë më parë doli zbuluar. Komisioni i Venecias i ka dhënë shuplakën më të madhe gjatë këtyre 34 viteve një mazhorance, duke konfirmuar ndërkombëtarisht se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me votë politike është i paprecedentë,”-shkruan Bardhi në Facebook.
Por nëse demokratët e kanë lexuar opinionin duke u foksuar tek pika ku shkruhet se Kuvendi duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, socialistët e kanë “parë ndryshe”. Deputetja dhe njëherazi kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka tha se Komisioni i Venecias e ka shprehur qartë se deputetët nuk detyrohen që të votojnë në një mënyrë të caktuar.
“Theksohet parimi se deputetët janë të lirë të votojnë. Komisioni i Venecias konstaton se Kuvendi e njeh detyrshmërinë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë të zbatueshme dhe nuk duhet të diktojnë votën,”- tha ndër të tjera Bushka.
Komisioni i Venecias:
Nuk mund të ketë përjashtim nga parimi themelor i demokracisë përfaqësuese, sipas të cilit mandati politik i deputetit është i lirë dhe i parevokueshëm dhe deputeti nuk mundet ligjërisht të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar. Kushtetuta mund të përjashtojë disa cështje nga vendimmarrja e Parlamentit (cështje që nuk hidhen në votim), por nëse Kushtetuta parashikon kompetencën e Kuvendit të vendosë (të votojë) për një cështje, kjo votë duhet të jetë e lirë të jepet nga secili deputet e nuk mund të diktohet. Komisioni i Venecias konfirmon qëndrimin se sipas jurisprudencës së vetë Gjykatës Kushtetuese shqiptare Kuvendi dërgon për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese cështjen e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti vetëm kur konstatohet se jemi para rasteve të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, (prg.11 ). Pra kur deputeti vetë përdor pasuri të shtetit dhe fiton prej tyre. Rastet e tjera i shqyrton vetë Kuvendi (neni 70/2 i Kushtetutës).
Kujtojmë se mazhoranca nuk dërgoi në Gjykatë Kushtetuese, mocionin e 1/10 të deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Xhacka pasi vlerësoi se nuk plotësohej kushti i “përdorimit të pasurisë publike dhe përfitimi prej kësaj pasurie”. Në atë rast bëhej fjalë për investim privat në pronë private dhe nuk kishte përfitime nga burime publike.
Komisioni i Venecias sqaron se sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese shqiptare e drejta e 1/10 të deputetëve (neni 70, pika 4 e Kushtetutës) konsiston në të drejtën për të vënë në lëvizje Kuvendin që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese cështje për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit që lidhen me kriteret e nenit 70, pika 3 të Kushtetutës (kur deputeti përdor pasuri publike dhe përfiton prej tyre) (prg.30). Vetëm në këto raste Kuvendi ka detyrimin të dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Pra kështu, sipas Komisionit të Venecias, mund të shihet se mbrohet pakica parlamentare sipas standardeve ndërkombëtare.
Komisioni Venecias konstaton se me vendimin e vitit 2016, Gjykata konsideroi nenin 70 të Kushtetutës (që parashikon mocionin e 1/10 të deputëve), si lex specialis (normë që mbizotëron) mbi nenin 134 të Kushtetutës që parashikon të drejtën e 1/5 të deputetëve për t’iu drejtuar direkt Gjykatës Kushtetuese (prg 11).
Komisioni konstaton se pas vendimit të Gjykatës kushtetuese të 2016, neni 66 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese është ndryshuar më pas me qëllim që 1/5 e deputetëve mund të referojë direkt në Gjykatën Kushtetuese një cështje për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Megjithatë në vendimin e fundit (çështja Xhacka), Gjykata Kushtetuese duke mos iu referuar (nuk e trajtoi) ndryshimit të nenit 66, mban pozicionin se 1/5 e deputetëve nuk mund të bëjnë një kërkesë të tillë në Gjykatë Kushtetuese.
Kujtojmë se në 2022, Gjykata Kushtetuese, u vu në lëvizje me kërkesë të 1/5 të deputetëve, dhe e shqyrtoi në themel çështjen e mandatit të deputetes Xhacka dhe thërriti palët në proces, por nuk dha vendim përfundimtar duke e pushuar çështjen me argumentin se Gjykatën duhet ta kishte vënë në lëvizje Kuvendi. Komisioni i Venecias konstaton se Kuvendi (mazhoranca) e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni analizon detyrimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese si parim i shtetit të së drejtës dhe parimit të besnikërisë ndaj kushtetutës.
Ky Komision shpreh mendimin se dy vendimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese për mandatin e Xhackes nuk duheshin kondicionuar nga votimi në Kuvend për zbatimin e tyre. Sipas mazhorancës, në rastin konkret Kuvendi nuk kishte si vepronte ndryshe për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, përvecse ta kalonte për votim ne seance plenare dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese. Kuvendi në fakt ka zbatuar çdo vendim që ka qenë i qartë për zbatimin dhe kjo nuk arrihet nëpërmjet diktimit të votës. Me fjalë të tjera, vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë të zbatueshme dhe nuk duhet të diktojnë votën.
Gjykata Kushtetuese nuk mund të krijojë normë të re, vecse të interpretojë normat kushtetuese (prg. 49 – 53, 60). Është kompetencë e legjislativit të krijojë norma kushtetuese dhe kompetencë e Gjykatës Kushtetuese të interpretojë normat kushtetuese. Sipas Komisionit të Venecias, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese, si një organ gjyqësor dhe jo politik, nuk duhet të shkelë/cënojë domainin/rolin e legjislatorit kushtetues (parlamenti) që ka të drejtën e krijimit të normave (prg.51). Gjykatat kushtetuese duhet të respektojnë ndryshimet kushtetuese që bëhen nga legjislatori kushtetues (parlamentet), kur vijnë si përgjigje e zbatimit të vendimit të Gjykatës kushtetuese, me qëllim që të shmanget perceptimi i “qeverisë së gjyqtarëve” – “gouvernement des juges”.
Më 13 shtator, me 65 vota abstenim, 25 pro dhe 9 kundër, Kuvendi i Shqipërisë vendosi që të mos e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dosjen për shqyrtimin e mandatit të ish-ministres Xhaçka. Votat kundër nga PS u dhanë nga Bullari, Çela, Çyrbja, Gjiknuri, Sterkaj dhe Çuçi, ndërsa vetë Xhaçka nuk ishte fare në sallë në momentin e votimit. Vendimi u mor pas kalimit në votim në seancë plenare të dy raporteve, një nga opozita dhe tjetri nga mazhoranca.
Kjo ishte hera e tretë në dy vite që mandati i Xhaçkës kalon në Kuvend. Mocioni ndaj ish-ministres u ndërmor nga opozita në qershor 2022 pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik dhe iu dha me vendim qeverie e drejta e përdorimit të brigjeve të detit para hotelit. Edhe pse prona në fjalë është tashmë subjekt i Prokurorisë së Posaçme, kjo nuk i bën socialistët që ta lënë në dorë të drejtësisë mandatin e Xhaçkës.
Çështja e mandatit të Xhaçkës ka krijuar një precedent në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke shmangur praktikën e mëparshme parlamentare, kur Kuvendi ka vendosur që të dërgojë për interpretim në gjykatë mandatet e deputetëve në rastet kur ndaj tyre ka pasur akuza apo indicie se kanë shkelur nenin 70 të Kushtetutës, që i ndalon ata të përfitojnë nga të mirat publike. Ishte Gjykata Kushtetuese që doli në përfundimin se mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa dhe se deputetët janë të detyruar të votojnë e ta dërgojnë atë sa më shpejtë. Në daljet publike, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ia bëri të qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj./ZËRI
DOKUMENTI MË POSHTË:
Dokumenta bashkëngjitur
Burimi