Vdekja e Ismail Kadaresë, Qeveria shpall 2 dhe 3 korrikun ditë zie në nderim të tij
Ismail Kadare
TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar dy ditë zie në nder të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta mëngjesin e sotme. Data 2 dhe 3 korrik janë shpallur ditë zie kombëtare, në nder të shkrimtarit më të madh që ka njohur historia e Shqipërisë. Po ashtu, në njoftimin zyrtar lajmërohet se të mërkurën do të ketë homazhe publike dhe ceremoni shtetërore për nder të tij tek Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.
Zemra e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare u ndal sot në moshën 88-vjeçare. Shkrimtari i madh është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Aktualisht trupi i Kadares ndodhet në ambientet e një agjencie funerale në kryeqytet, ku edhe po i bëhen përgatitjet e fundit për ceremoninë mortore./ZËRI
Burimi