VD- ‘Nuk doja ta vrisja’, del para gjykatës efektivi Goxhara, akuza që rëndon mbi të

VD- ‘Nuk doja ta vrisja’, del para gjykatës efektivi Goxhara, akuza që rëndon mbi të

erjon goxhara

TIRANË- Ka dalë përpara Gjykatës së Tiranës efektivi i policisë Erjon Goxhara, i cili do të njihet me masën e sigurisë, pasi u vetëdorëzua dy ditë më parë në komisariat. Edhe gjatë deklaratës së tij të sotme në Gjykatë, Goxhara ka shfaqur pendesë për krimin, dhe ka deklaruar se nuk kishte qëllim për ta vrarë drejtorin e ERE-s Lorenc Kosta, me të cilën gruaja e tij dyshohet se kishte një lidhje jashtëmartesore.

Ndaj efektivit rëndojnë akuzat “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shperthyese dhe o municionit”, parashikuar nga nenet 78, 22 dhe 278/1 të Kodit Penal. 

“Nuk kam dashur ta vras Lorenc Kostën dhe e kam parë rastësisht në zonën e “Komunës së Parisit” pasi kam qenë me vajzën time në një lokal në atë zonë. Pasi kam larguar vajzën jam kthyer sërish te “Komuna e Parisit” dhe e kam qëlluar Kostën me armën e shërbimit të cilën e kisha me vete. Deklaroj se nuk e kam bërë me paramendim plagosjen e Kostës. Kosta më provokonte sa herë përballesha dhe më thonte “do të heq nga puna”, deklaroi Goxhara një ditë më parë përpara grupit hetimor.
Përpara se t’i zinte pritë 45-vjeçarit në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ditën e hënë, efektivi i policisë ka pasur një takim me bashkëshorten e tij, në prani dhe të nipit.
Takimi evidentohet nga prokuroria se ka ndodhur mëngjesin e datës 19 Gusht, disa orë përpara plagosjes. Goxhara dhe bashkëshortja e tij, me të cilën kishin nisur prej disa javësh konfliktet, janë takuar në ambientet e një qendre tregtare, ku as aty nuk kanë munguar debatet. Mësohet se gruaja e ka pranuar faktin se e ka tradhtuar babanë e dy fëmijëve të saj me eprorin në punë, por ka pretenduar se ka ndodhur vetëm në një rast. Në dosjen e prokurorisë thuhet se në momentin kur ka përfunduar ky takim, bashkëshortja e Goxharas ka goditur veten me grushte, ndërsa nuk ka kërkuar falje, dhe as ka tentuar që të rregullojë marrëdhënien familjare, e cila ishte krisur.
Situata e vështirë mes çiftit është pranuar dhe nga djali i tyre i mitur, i cili është marrë në pyetje në prani të psikologëve, ku ka thënë se babai dhe nëna e tij që prej gjysmës së muajit Korrik kishin konflikte të vazhdueshme mes tyre. Polici i ka kërkuar të shoqes që të kërkonte ndjesë, por që kjo e fundit nuk ka pranuar.
Efektivi i policisë e qëlloi në mes të rrugës 45-vjeçarin, duke i shkaktuar plagë në pjesët e këmbëve dhe ato intime. Goxhara qëlloi me armë zjarri 45-vjeçarin Lorenc Kosta, pasi ky i fundit dyshohet se kishte lidhje me bashkëshorten e efektivit të Policisë. Drejtori i ERE-s ndodhet në spital dhe ka kryer dy ndërhyrje kirurgjikale. /ZËRI
Burimi