Urdhërarrestet e SPAK për Inceneratorin, Meta: U lajmëruan të ikin, i hanë në arrati lekët
Ilir Meta
TIRANË- Pasi SPAK lëshoi 8 urdhërarresteve për pastrimin e 20 mln eurove përmes Inceneratorit të Tiranës, presidenti i PL-së, Ilir Meta e ka konsideruar aksionin e SPAK si një lëvizje të sforcuar politike. Në një deklaratë për mediat, Meta u shpreh se personat për të cilët janë lëshuar urdhërarrestet janë lajmëruar të ikin dhe se ata do t’i hanë paratë në arrati.
“Është grabitje pa maska në mes të ditës, e qindra milionë euro. Bëjnë një lëvizje të sforcuar, politike, për 20 mln euro kur bëhet fjalë për qindra milionë euro. Edhe ndërkohë ata që lajmërohen të ikin edhe ti hanë në arrati lekët. SPAK 99% e fletëarresteve që lëshohen lajmërohen dhe ikin. Edhe ndonjë që futet në burg, futet me mirëkuptim dhe në mirëbesim që do ti vazhdojnë pagat nga biznesi për shkak të firmës që kanë hedhur për llogari të Edi Ramës”, u shpreh Meta.
SPAK njoftoi zyrtarisht se ka prerë tetë fletëarreste dhe se gjykata caktoi masën e sigurisë arrest në burg për secilin, por asnjëra prej tyre nuk është ekzekutuar dhe të tetë janë të lirë. Mësohet se SPAK ka lëshuar urdhërarreste për shtetasit Denisa Tollkuci, Dashamir Ymeraj dhe Endrit Habilaj. Urdhër-arreste janë lëshuar edhe për tre shtetas të huaj.
Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK që prej verës së vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Të dy këta të fundit, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit.
Disa muaj më parë, në Dhjetor 2023, SPAK lëshoi 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Arrest në burg u caktua për Taulant Tushën, drejtor në Bashkinë e Tiranës. Në të njëjtën masë u vendos edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për 2 koncensionet e tjera të inceneratorëve, si dhe ish-Sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako./ZËRI
Burimi