U zbulua nga “SKY ECC”, dënohet trafikanti malazez i kokainës! Pushimet në Shqipëri e nxorrën ‘zbuluar’
Foto ilustruese
Një 47-vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet me dije i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge është dënuar me tetë vjet burg dhe 200 mijë euro gjobë në Holandë. Vendimi është marrë në seancën gjyqësore të kësaj të enjteje, pas një marrëveshje që është dakordësuar mes prokurorit të çështjes dhe avokatit të 47-vjeçarit. Ai u arrestua në Serbi në maj 2022 dhe u ekstradua në Holandë një vit më vonë. Ai ra në pranga falë përgjimeve që autoritetet kryen në aplikacionin SKY ECC.
Përgjimet zbuluan se ai luante një rol thelbësor në importimin e ngarkesave të mëdha të drogës. Ai dyshohet për përfshirje në katër transporte në total rreth 1400 kilogramë kokainë. Droga u dërgua nga Amerika e Jugut në portet evropiane të Antëerp, Roterdam, Le Havre dhe Valencia në periudha të ndryshme në vitin 2020. I dyshuari ishte në grupe chat ku ata komunikonin për transportet. Aty u fsheh pas emrit “Picasso”. Picasso ka dërguar edhe foto ku tregohet se ka qëndruar në një hotel në Shqipëri në verën e vitit 2020. Pushimet në vendin tonë ai i kishte kaluar në shoqërinë e familjes.
Këtë e konfirmojnë të dhënat e autoriteteve shqiptare dhe fotot e pushimeve të të dyshuarit dhe familjes së tij. Edhe pantoflat e zeza që Picasso ka veshur në një foto nga “Sky ECC” janë identike me pantoflat në foton e të dyshuarit dhe pantoflave të sekuestruara prej tij. Pas përgjimeve të aplikacionit SKY ECC autoritetet europiane kanë vënë në pranga dhjetëra persona të akuzuar si të përfshirë në trafik droge dhe vrasje./ZËRI
Burimi