U qëllua me 18 plumba, a ishte Roshkodoli ushtar i Bajrave? I rritur jetim dhe i dënuar për krime jashtë vendit
Elis rroshkodoli
SHKODËR- Qyteti i Shkodrës u trondit mesditën e të premtes nga një tjetër ngjarje e rëndë kriminale, ku mbeti i vrarë në një lokal në zonën e Zdrales 36-vjeçari Elis Rroshkodoli. Ky i fundit ishte në kafe së bashku me një tjetër person, në momentin që u qëllua me 18 plumba nga autori, me një armë me silenciator. Menjeherë pas ngjarjes, policia nisi verifikimet, por pa mundur që të kapë autorët që dyshohet se u larguan në drejtim të Malit të Zi.
Policia, përmes burimeve por edhe në njoftimin zyrtar që u shpërnda për mediat, tha se 36-vjeçari ishte një person me rekorde kriminale kryesisht jashtë vendit, ndërkohë që pranë trupit të pajetë të tij, brenda në çantën e dorës, u gjet dhe një armë zjarri pistoletë gati për qitje. 36-vjeçari, i rritur jetim, pasi babanë ia kishin vrarë që në vitin 1997, rezultonte i dënuar në Belgjikë si pjesë e një grupi grabitësish, ndërsa në Shqipëri, të paktën publikisht atij nuk i ishte ngarkuar ndonjë akuzë. Megjithatë jozyrtarisht, panorama ka mësuar se viktima ka qënë pjesë e grupit të Bajrave në Shkodër, dhe dyshohet se ka shërbyer si ushtar i tyre.
Ai ka qenë nën hetim për pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërkohë që një vit më parë u shpall në kërkim nga Rumania, pasi plagosi me thikë një biznesmen vendas, të cilin e kishte ndjekur për dy ditë me radhë. Për shkak të së shkuarës së Rroshkodolit, hetimet e policisë janë përqëndruar në pistën që vrasja ka ndodhur për hakmarrje, apo për larje hesapesh mes grupeve kriminale në qytetin e Shkodrës. Paraprakisht dyshohet se autori që qëlloi mbi 36-vjeçarin është ndihmuar nga persona të tjerë, për t’u larguar më pas drejt Malit të Zi.
Policia e Shkodrës, dje pak çaste pas ndodhjes së krimit bëri me dije zyrtarisht se: “Rreth orës 12:30, në lagjen “Ahmet Haxhia”, në një lokal, dyshohet se një shtetas i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Rr., rreth 36 vjeç, banues në Shkodër. Me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër. Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe janë vënë në ndjekje të autorit.
Gjithashtu, është ngritur një grup hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë, për sigurimin e provave për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje. Nga veprimet paraprake në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur në çantën e dorës të 36-vjeçarit E. Rr., 1 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje. Vijojnë veprimet dhe kontrollet intensive, për identifikimin dhe kapjen e autorit”.
Policia ka hapur kamerat e lokalit dhe ka kuptuar se vrasësi ka qenë një person me maskë fytyre, ndaj edhe ka qëlluar pa iu trembur identifikimit. Janë marrë në pyetje disa persona që kanë qenë të pranishëm në lokal, të tjerë që janë shoqëruar rastësisht, por deri orëve të vona policia nuk ka asnjë të dyshuar si të përfshirë në ekzekutim./ZËRI
Burimi