Tiranë-Shkodër për 40 minuta! Rama: Po lidhim kontratat e reja për Korridorin Blu, për dy orë nga kryeqendra e veriut në Vlorë
Edi rama gjate eventit ne shkoder
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm paraditen e sotme në Shkodër, ku u zhvillua konkursi ndërkombëtar, ku 5 studio europiane kanë paraqitur përpara jurisë projekt-idetë për Rozafën, e cila do ta ripërtërijë e zgjerojë hotelin kryesor të qytetit, me një kapacitet të ri për Shkodrën.
Teksa shfrytëzoi praninë e tij në qytetin verior të vendit, Rama tha se aksi Shkodër-Tiranë do të përshkohet për vetëm 40-45 minuta brenda kësaj dekade. Pas aksit Thumanë-Kashar, kreu i qeverisë bërit të ditur se për pak ditë do të lidhen edhe kontrata e reja për segmentet e tjera të Korridori nga Kashari në Rrogozhinë e Fier.
“Duke konsideruar domosdoshmërinë e një lidhje të shpejtë të Shkodrës me veriun lart, Tiranën e jugun, kryesore mbetet sfida për ndërtimin deri në Muriqan të Korridorit Blu, i cili ka një segment të përfunduar e të prekshëm për të gjithë në aksin Thumanë-Kashar dhe do të vazhdojë me segmentet e tjera që do të lidhin Balldrenin me Milotin, Milotin me Muriqanin e Balldrenin me Thumanë. Për pak ditë do të lidhen edhe kontrata e reja për segmente nga Kashari në Rrogozhinë e Fier dhe kështu koha e lidhjes së Shkodrës me Tiranën brenda kësaj dekade do të jetë 40-45 minuta. Koha e lidhjes së Shkodrës me jugun poshtë do të jetë sa është koha e lidhjes me Tiranën, do të shkohet deri në Vlorë për dy orë”.
Duke folur për 5 studiot europiane që konkurrojnë për ndërtimin e Rozafës në Shkodër, Rama theksoi se kjo ndërtesë do të jetë një gjurmë që do t’i shtohet trashëgimisë së Shkodrës për brezat e ardhshëm.
“Do të sjellë 5 mundësi një ndër të cilat do të zgjidhet nga juria për të ndërtuar një objekt që nuk është thjesht privat, por një objekt që ne synojmë të krijojë ikonë të këtij shekulli për Shkodrën e cila është shumë e pasur me momente e gjurmë të historisë. Kjo ndërtesë do të jetë një gjurmë që do t’i shtohet trashëgimisë së Shkodrës për brezat e ardhshëm. Është pjesë e një vizioni që kombinon së bashku investimet publike”.
Rama nuk i kurseu batutat edhe për kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu, për të cilin tha se pavarësisht përpjekjeve, e ka të vështirë që ta bëjë Lezhën si Shkodra.
“Në këtë mënyrë sfidohet më shumë Pjerin Ndreu në Lezhë që ka kohë që përpiqet të kthejë Lezhën në qendër më të rëndësishme se Shkodra. E ka shumë të vështirë. Por duke parë Shkodrën do i çojë më tej planet e tij ambicioze”, tha Rama.
Burimi