Tirana Diplo 2024/ Rama: Në 2027 presim Samitin e NATO-s, në 2030 futemi në BE! Ambasadorë, kujdesuni për shqiptarët (3 partnerët)

Tirana Diplo 2024/ Rama: Në 2027 presim Samitin e NATO-s, në 2030 futemi në BE! Ambasadorë, kujdesuni për shqiptarët (3 partnerët)

Edi Rama

TIRANË- Samiti i NATO-s do të mbahet në Tiranë në vitin 2027! Kështu deklaroi vetë kryeministrin EdiRama, në fjalën që mbajti në hapjen e konferencës “Tirana Diplo 2024”,që nisi sot punimet në Pallatin e Kongreseve, në praninë e ambasadorëve dhe Konsujve të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë.
Ky event do të zgjasë tre ditë, deri më 28 gusht, ndërsa në vitin 2025, Shqipëria do të presë gjithashtu 44 liderë evropianë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian që pritet të mbahet në Tiranë. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u shpreh se këto evente, as nuk mund të imagjinoheshin më parë, se do të mund të preknin Tiranën.
“Vitin tjetër, Shqipëria do të mikpresë liderët e 44 vendeve evropiane nga Britania në Ukrainë apo nga Suedia e Norvegjia në Turqi në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Sa e rëndësishme është për ne që jemi një vend i vogël që të përfaqësohemi me volumin më të lartë të ambicies dhe aftësisë për të qenë të respektueshëm, na jep mundësinë që ne të jemi mikpritës i Samitit të NATO-s vitin 2027, evente as që mund të imagjinoheshin vite më parë,”- tha Rama.
Kryeministri vuri në dukje dhe pozicionimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke veçuar marrëdhënien me tre shtete, Italinë, Greqinë dhe Turqinë, të cilët i konsideroi miq tradicionalë dhe partnerë strategjikë të vendit tonë. Nuk la pa përmendur dhe faktin që Shqipëria, shumë shpejt do të ketë dhe embasadë në Bosnje Hercegovinë.
“Aleancat tona janë të qarta si drita e diellit. Miqësitë janë të njohura. Së treti jemi profilizuar dhe do të vijojmë të forcojmë profilin e parterëve të padyshimtë dhe miqve të palëkundur e natyrisht duke qenë në këtë pjesë të Europës që ka një trashëgimi jo të lehtë lëmshi të marrëdhënieve, historive e interesave nuk është e lehtë. Fjala vjen…Duke qenë në këtë pjesë të Europës që ka një trashëgimi jo të lehtë lëmshi të marrëdhënieve, të historive e interesave, nuk është gjithmonë e lehtë. Kjo pasi ne jemi miq tradicionalë të Turqisë dhe Greqisë, e për ne janë dy miqësi shumë të rëndësishme, por ndërkohë është e shkruar e zeza mbi të bardhë qysh në krye të herës, që këto dy vende bashkë me Italinë janë partnerët tanë strategjikë. Së shpejti duhet të çelim dyert e ambasadës në Bosnje Hercegovinë,”- shtoi lideri socialist.
Ambasadorëve shqiptarë, Rama u la si detyrë rritjen e kujdesit ndaj shqiptarëve jashtë atdheut.
“Vullneti dhe angazhimi i plotë për të rritur kujdesin për shqiptarët jashtë atdheut. Ka shumë për të bërë por shumë gjëra kanë ndryshuar në aspektin e shërbimeve konsullore dhe përforcimin e aleancave strategjike e miqësive tradicionale.
Lëvizjet e tilla dhe ruajtja e marrëdhënieve me aleatët, sipas kryeministrit, ka vetëm një qëllim, uljen e Shqipërisë në vitin 2030, në tryezën e Bashkimit Evropian.
“Për t’u rritur e fuqizuar dhe për të vazhduar të ushqejmë respekt, besim e të rrisim prestigjin tonë duhet të flasim me qartësi e respekt me aleatët dhe miqtë tanë dhe të pretendojmë të njëjtën gjë prej tyre. 2030 duhet të na gjejë në gatishmëri të plotë të ulur në tryezën e BE-së. Kur Shqipëria përmendet në korridoret, zyrat apo auditoret e politikës ndërkombëtare ka tjetër tingull emri i saj. Diplomacia jonë ka hyrë në dinamikë të re, ka luajtur rol kyç në zhvillimet e kësaj kohe, duhen shtyrë më tutje edhe përmes diplomacinë për të përmbushur vizionin e Shqipërisë 2030, sot Shqipëria negocion anëtarësimin në BE pas një procesi të jashtëzakonshëm skanimi të të gjithë sistemit të organizmit të vendit, skuadra e Shqipërisë me të gjitha repartet përgjegjëse, u vlerësua me notat më pozitive nga partnerët tanë në Bruksel, për gatishmërinë. Natyra e procesit të negocimit është shumë dinamike dhe këtu dua të sjell në vëmendje një fakt konkret që lidhet me rolin proaktiv të Shqipërisë përmes një diplomacie dinamike në funksion të ndikimit të vetë BE për interesat tona të para në një kënd më të gjerë si pjesë e interesit të përbashkët rajonal. Dua të flas për hartimin e një politike të re të BE përmes një instrumenti të ri financiar dhe zhvillimor që shkon përtej sistemit të mbështetjet të fondeve Ipa dhe adreson një nevojë të Shqipërisë për të përmirësuar performancën dhe rritur konvergjencën ekonomike. Plani i ri i rritjes është tani në dorën tonë dhe së bashku me partnerët në Bruksel jemi në një proces sistemimi të të gjithë hapave dhe të gjithë piketave që do të duam të arrijmë përmes këtyre hapave për të rritur masën e integrimit pa pritur të bëhemi anëtarë të BE. Pa na e kërkuar askush kemi nisur një proces të ri përmes një synimi absolutisht ambicioz për të linçuar një datë të re reformash duke u organizuar në Kuvendin e Shqipërisë me Komisionin e Posaçëm,”- tha ai ndër të tjera.
Axhenda e konferencës
09:30  – Hapja e Konferencës së Ambasadorëve Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
10:30 – 11:15 Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE Folës kryesorë Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
Tanja Fajon, Zv.Kryeministre dhe Ministre për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Republikës së Sllovenisë
Ora 12:00 – Ministri Hasani do të presë në një takim dypalësh në MEPJ, Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila do të zhvillojë vizitë zyrtare në Tiranë.
Pas takimit, dy ministrat do të dalin në një deklaratë të përbashkët për mediat.
Burimi