Tentuan të vrisnin Xhevdet Plakun, SPAK jep pretencën për ‘Kep Arapin’, nipin e tij dhe Dedan Gjonin

Tentuan të vrisnin Xhevdet Plakun, SPAK jep pretencën për ‘Kep Arapin’, nipin e tij dhe Dedan Gjonin

Kel arapi dedan gjoni dhe xhevdet plaku

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për Rexhep Rapin i njohur dhe si Kep Arapi, nipin e tij Algert Rapin dhe ish-shefin e krimeve ne policinë e shtetit Dedan Gjoni. Për Kep Arapin SPAK ka kërkuar dënimin me 7.6 vite burg, por në rast se kjo pretencë pranohet ai do të vuajë 5 vite heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Për Algert Arapin u kërkua dënimi me 7.4 vite burg, që do të konvertohet në 4.8 për shkak të gjykimit të shkurtuar. E njëjta kërkesë u paraqit nga SPAK dhe për ish-shefin e krimeve Dedan Gjonin, si dhe shtetasin Dejvi Gjermeni.
Këta shtetas akuzohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xhevdet Plaku, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Ky hetim i SPAK nisi mbi bazën e informacionit të përcjellë nga Prokuroria e Rrethit Limburg, Holandë.

Si ndodhi arrestimi dhe plani për atentatin 
Arrestimi i Kep Arapit, i njohur si ‘i forti i Sukthit’ dhe nipit të tij, u krye në 22 Dhjetor të vitit të kaluar me urdhër të SPAK. 
Vrasja e Xhevdet Plakut ishte planifikuar të realizohej më datë 17 shtator 2019, në Durrës, kur ai ishte shoqëruar na komisariat nga oficeri i policisë Dedan Gjoni, me pretendimin se përdorte makinë të blinduar.
SPAK thotë se Rexhep Rapi i njohur si Kep Arapi, nipi i tij, Algert Rapi, Dejvi Gjermeni, i njohur edhe me emrat Elton dhe Sako Gjermeni, si dhe oficeri i policisë Dedan Gjoni, krijuan kushtet për vrasjen e Plakut, për motive hakmarrje. Kep Arapi e akuzonte Xhevdet Plakun si autor të vrasjes së vëllait të tij, Sali Rapi në vitin 2000 në Savona të Italisë.
Si ka funksionuar skema
Në kohën kur ka qënë në drejtimin e komisariatit të policisë në Shijak, Dedan Gjoni ka shoqëruar shtetasin Xhevdet Plaku, i cili njihej me pseudonimin “Akili”, dhe i ka dërguar autorëve që planifikonin vrasjen foton e tij. Po ashtu ai ka njoftuar se kur do të dilte Plaku nga komisariati i policisë. Në këtë mënyrë Gjoni, me detyrë shef policie, ka nxjerrë në pritë shënjestrën, i cili fatmirësisht ka arritur të mbijetonte. Rezulton po ashtu se urdhri për të kryer këtë krim të rëndë është dhënë nga Holanda dhe dyshohet se lidhet me prishjen e pazareve të drogës, mes grupeve kriminale që veprojnë në qytetin e Durrësit. Porosia e vrasjes dyshohet se është bërë për shkak se Plaku ka vrarë një person të afërt të Arapit, ngjarje e ndodhur kjo në shtetin italian. /ZËRI 
Burimi