Tentoi të fuste në Shqipëri mijëra euro me “Porsche Cayenne” të vjedhur, ‘kapet mat’ në Durrës 54-vjeçari italian

Tentoi të fuste në Shqipëri mijëra euro me “Porsche Cayenne” të vjedhur, ‘kapet mat’ në Durrës 54-vjeçari italian

Paratë e sekuestruar nga policia

DURRËS- Një italian po hetohet nga policia, pasi tentoi të fuste në vendin tonë një shumë parash prej 24.070 euro, të padeklaruara.
Sipas policisë, shuma e parave ishte fshehur në një automjet që rezulton i vjedhur në Zvicër.
Efektivët bëjnë me dije se kanë nisur hetimet per shtetasin italian M. A., 54 vjeç, ndërkohë u sekuestrua automjeti dhe shuma e eurove.

“Fshehu në automjetin tip “Porsche Cayenne”, të shpallur në kërkim nga Interpol Bern, 24 070 euro që t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar, procedohet penalisht shtetasi italian.
Sekuestrohen automjeti dhe shuma e eurove.
Në vijim të kontrolleve intensive që po kryhen me metoda bashkëkohore, në pikën e kalimit kufitar Port, Durrës, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të Shqipërisë, kaluan në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, automjetin tip “Porsche Cayenne”, me drejtues shtetasin italian M. A..
Nga verifikimet rezultoi se automjeti që drejtonte ky shtetas, ishte në kërkim nga Interpol Bern, Zvicër, ndërsa nga kontrolli në automjet, u gjetën të fshehura 24 070 euro, të cilat shtetasi M. A. synonte t’i kalonte pa i deklaruar konform ligjit në fuqi.
Në vijim të veprimeve procedurale për këto paligjshmëri, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin italian M. A., 54 vjeç. Gjithashtu, sekuestruan në cilësinë e provës materiale, automjetin dhe shumën e eurove.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë””, njofton policia. /ZËRI
Burimi