Të dhënat zyrtare të censit: Kosova ka 1 milion e 586 mijë banorë, në diasporë janë afro 600 mijë

Të dhënat zyrtare të censit: Kosova ka 1 milion e 586 mijë banorë, në diasporë janë afro 600 mijë

censi ne kosove

KOSOVË- Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat paraprake nga regjistrimi i fundit i popullsisë. Sipas ASK-së, në Kosovë jetojnë 1 milion e 586 mijë e 659 banorë. Në diasporë janë regjistruar rreth 600 mijë qytetarë.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka mbajtur një konferencë, ku ka shfaqur statistikat preliminare të regjistrimit të popullsisë të mbajtur në maj të këtij viti. Në këtë konferencë, ASK-ja ka vlerësuar si shumë të rëndësishme këtë regjistrim, duke treguar edhe ecajaken e krejt këtij procesi.
Sipas statistikave të ASK-së, Kosova ka 1 milion e 586 mijë 659 banorë. Në bazë të regjistrimit të vitit 2011, Kosova kishte 1 milionë e 739 mijë banorë. Nga statistikat e prezantuara sot, u kuptua se në Kosovë ka më shumë burra se gra.
Më saktë, në Kosovë jetojnë 795,046 banorë të gjinisë mashkullore, ndërsa 791,614 janë banore të gjinisë femrore.
Ndërsa nga diaspora janë 600 mijë të regjistruar.
Në statistikat e ASK-së është kuptuar që dominon popullsia e grupmoshave 16-64 vjeç, ndërsa ka rënie tek popullsia 0-15 vjeç. Po ashtu, sipas prezantimit, vërehet një rritje tek popullsia mbi moshën 65-vjeçare.
Në këtë konferencë, ASK-ja ka treguar se i gjithë procesi, përfshirë anketa ishte hartuar duke respektuar kërkesat dhe kriteret ndërkombëtare.
Drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrat deklaroi se regjistrimi ka qenë gjashtë javë, por që ishte shtyrë edhe për një javë, duke shtuar se procesi i regjistrimit ka qenë në mënyrë digjitale.
Kastrati po ashtu njoftoi se regjistrimi i diasporës po vazhdon, derisa bëri thirrje për regjistrim.
“Të dhënat paraprake publikohen disa muaj pas regjistrimit të popullsisë, ne jemi shumë shpejt me këto të dhëna. Rezultatet përfundimtare do t’i shpallim në fund të vitit. Numri i popullsisë i regjistruar në Kosovë, ku nuk përfshihet diaspora është 1,586,659 banorë rezidentë”.
Kryeministri Albin Kurti tha se realizimi i regjistrimit të popullsisë ishte një nga projektet më me prioritet të qeverisë gjatë këtij viti.
“Realizimi i regjistrimit të popullsisë ishte një nga projektet më më prioritet të qeverisë gjatë këtij viti, duke marrë parasysh rëndësinë e të dhënave në kohë si dhe raundin e regjistrimeve globale 2015-2024, ku edhe Kosova do të jetë pjesë e këtij zhvillimi. Ky regjistrim është një reflektim i përkushtimit tonë për të kuptuar dhe adresuar nevojat e popullatës sonë, duke siguruar si shpërndarje të barabartë të burimeve, ashtu edhe për hedhje të bazave për vendimmarrje për të informuar që do të formësojë të ardhmen e Kosovës”.
Më tej, Kurti tha se nxjerrja e të dhënave të plota dhe të sakta do t’iu mundësojë vendimmarrësve, duke filluar nga niveli lokal e qendror për orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët.
“Në një mënyrë, statistikat e mirëfillta janë si GPS-i për të ardhmen e vendit tonë. Me të dhëna të sakta, jemi të sigurtë se nuk do ta humbim rrugën dhe do ta gjejmë destinacionin tonë, përndryshe pa to do të përfundojmë duke bërë rrotullime e rrjedhimisht të humbim resurse të vlefshme.Pa statistika cilësore, edhe vendimet mund të jenë jo cilësore. Statistikat janë një e mirë publike dhe duhet përdorur për marrjen e vendimeve bazuar në dëshmi. Në demokraci, marrja e vendimeve politike duke u bazuar në dëshmi është shumë më rendësi për të ofruar”, tha Kurti. 
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin. 
Burimi