Takimi me Vuçiç në Bruksel/ Opozita-Kurtit: Qëllimi final i dialogut të jetë njohja reciproke
Aleksandër Vuçiç, Albin Kurti, Joseph Borrel dhe Miroslav Lajçak në Bruksel
Në prag të takimit të kryeministrit, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel, partitë opozitare kërkojnë nga Kurti që qëllim final i dialogut të jetë njohja reciproke. Sipas tyre, kreu qeveritar nuk duhet të devijojë përpjekjet shumëvjeçare të Kosovës që njohja reciproke të jetë në qendër të marrëveshjes dhe jo vetëm të jetë fokus normalizimi i marrëdhënieve përmes Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Kosova Press shkruan se opozitarët kërkojnë nga ekzekutivi që t’i bindin edhe partnerët, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që mos të ndryshojnë qëndrim sa i përket njohjes reciproke si qëllim final të dialogut. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, thotë për KosovaPress, se qasja e qeverisë në dialog duhet të jetë e mirë koordinuar me aleatët e Kosovës.
Duke folur për Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit të arritur vitin e kaluar, deputetja Deliu, deklaron se Kurti nuk do të duhej as të diskutonte për një marrëveshje ku nuk është njohja de-jure në qendër të saj. Ajo kritikon kryeministrin që ka sjell një marrëveshje të keqe për Kosovën me një autonomi për serbët në veri.
Kritika për devijim të procesit të dialogut adreson edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila thotë për KosovaPress, se në Qeverinë Kurti nuk flitet më për njohje reciproke por vetëm për zbatim të marrëveshjes së Brukselit e cila sipas saj primare ka autonominë për serbët në Kosovë. Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se kryeministri Kurti duhet të insistojë që dialogu të përfundojë me njohje reciproke, pavarësisht marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Takimin Kurti-Vuçiç në Bruksel më 26 qershor e kanë konfirmuar edhe nga Qeveria e Kosovës. Sipas tyre në këtë takim do të flitet për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin Ohrit. Ky është i pari pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit që ndodhi në shtator të vitit 2023. Pikërisht në shtator të vitit të kaluar ishte takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Vuçiç./KP
Burimi