
“Ta mbaroj apo…”/ Analisti Andi Bushati rrëfen pse u largua nga studio: Mendësia më provokoi!

Andi Bushati
TIRANË– Analisti Andi Bushati la mbrëmë studion ku ishte i ftuar në panel. Teksa diskutohej për një çështje të rëndësishme, në emisionin “Të paekspozuarit” ka ndodhur një episod i pazakontë. Teksa mori fjalën e tij, analisti Andi Bushati u ndërpre disa herë, ndaj edhe vendosi që të linte studion duke folur me tone të larta.
“Ta mbaroj apo ta dh****,” – dëgjohet ai ndërsa i bie tavolinës fort me pëllëmbë. Më pas, çohet dhe lë studion.
MOMENTI ME VIDEO:
Por sot, Bushati ka bërë një shpjegim se përse e la studion. Në një shkrim të gjatë të publikuar në median që ai drejton, Lapsi.al, Bushati tregon se kërkonte që të jepte mendim për daljen e një dokumenti që sipas tij tregon se SPAK kishte vënë nën përgjim një anëtar të një Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Pëllumb Gjokës.
“Lidhur me të duhet të shprehesha edhe unë, pasi kisha dëgjuar me durim të gjithë parafolësit, përfshirë dhe drejtuesin e emisionit, që i jepnin të drejtë veprimit të SPAK. Personalisht nuk isha krejtësisht kundër atyre që ishin thënë plot zell dhe pathos për punën e “heronjve të fëmijëve tanë”. Edhe në mendjen time vërtitej dyshimi se SPAK mund të kishte të drejtë, pasi presioni politiko-financiar i grupeve kriminale për të bërë të pavlefshme malin me përgjime të gjendur në Sky ECC, do të ketë qenë i pa imagjinueshëm. Por bashkë me këtë bindje që e ndaja njësoj me të tjerët, doja të shprehja edhe disa dyshime që mendoj se përbëjnë ADN e çdo gazetari që ka vendosur të mos shërbejë si papagalli i askujt,”-shkruan ndër të tjera Bushati.
Dhe më pas, vijon që të shpjegojë qëndrimin e tij lidhur me çështjen e përgjimit të gjyqtarit, për të cilin SPAK zyrtarisht është shprehur se nuk ka nisur asnjë hetim, për t’ju rikthyer më pas në atë që ndodhi në studio.
“Unë përpiqem të mos bëj pjesë tek ata gazetarë që nxjerrin konkluzione pa ditur provat. Dhe pa qenë në djeni të tyre nuk mund të thoja nëse SPAK kishte vepruar në mënyrë korekte dhe legjitime apo thjeshtë e kishte përdorur të gjithë këtë si shantazh për të marrë vedimin që i duhej? Kaq doja të thoja. Këto dilema u mundova të ngrija, më kot. Por në një atmosferë të kapluar nga histerizmi kjo u bë e pamundur. Pse? Sepse derejtuesi i emisionit shpalosi devizën: më mirë të përgjojë SPAK-u se sa të fitojnë kriminelët. Sepse në krah kisha një kolege që rekej të përligjte normalitetin e përgjimeve pa vendim gjykate. Sepse përballë gjendej një politikan, që arsyetonte se për të mbrojtur SPAK-un nuk kishte nevojë që të dinte faktet që dispononte prokurori, pasi midis Prokurorisë Speciale dhe Kushtetueses ai personalisht kishte vendosur ti besonte të parës.‘Kjo mendësi prej kasapësh në mbrojtje të “heronjve të fëmijëve tanë” me mbështetje të gjërë në sondazhet popullore, ma bëri të pamundur qoftë dhe artikulimin minimal të dilemave që me shqetësonin. E në këto kushte i rashë me grusht tryezës dhe u largova. Por ky akt gjaknxehtësie, që mund të marrë shumë më tepër klikime sesa një shqetësim racional, në botën efemere të rjeteve sociale, është krejtësisht i papërfillshëm në raport me mendësinë që u bë shkas për provokimin e tij. Dhe kjo mendësi buron nga prirja populiste që po mbizotëron në pjesën dërrmuese të studiove televizive për tu konformuar me atë që del e pëlqyer në sondazhe,”-shton Bushati./ZËRI