SPAK ka në “duar” 21 janarin/ Basha: Ta hetojnë! S’kam urdhëruar asnjë pushkatim (Roli i Berishës)
Lulzim Basha
TIRANË- Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha është pyetur lidhur me vendimin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të nisur hetimet lidhur me dosjen e “21 janarit”. Në konferencën e tij për shtyp, Basha u shpreh se është i hapur për t’u hetuar nga SPAK dhe jo vetëm, ndërsa iu përgjigj shkurt pyetjeve të gazetarëve që ishin në sallë. Ndër të tjera në fjalën e tij, demokrati zgjodhi që të heshtte edhe kur u pyet lidhur me rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha në ngjarjen që u mori jetën 4 protestuesëve të opozitës (asokohe Partia Socialiste).
Në fund, Basha bëri dhe një sqarim: nuk ka asnjë urë komunikimi dhe bashkëpunimi me kryedemokratin Sali Berisha!
PJESË NGA KONFERENCA PËR SHTYP:
Pyetje: SPAK ka njoftuar se ka rihapur hetimet dhe ka regjistruar procedim penal për ngjarjet e 21 janarit. Gjykata e Lartë e ka orientuar hetimin, do të hetohet roli i ish-ministrit të Brendshëm, pra keni qenë ju në detyrë atë ditë.
Lulzim Basha: Të hetojë gjithçka, plotësisht, në mënyrë të paanëshme dhe profesioanle, ky ka qenë mesazhi në 13 vite. Kam qenë dhe jam në dispozicion të çdo akti të drejtësisë.
Pyetje: A ka urdhëruar ministri i Brendshëm Gardën që të qëllojë ndaj protestuesëve dhe a keni lidhje me fshehjen e serverave?
Basha: Jo dhe jo!
Pyetje: Në rast se shpreheni i pafajshëm, cili është roli i ish-kryeministrit?
Basha: Kjo është një konferencë për shtyp, nuk është as SPAK dhe as GJKKO. T’i lëmë të bëjnë punën e tyre.
Pyetje: Meqë nuk shpreheni për rolin e Sali Berishës, kur vjen puna për akte ndaj Sali Berishës, duket sikur druheni? A po bashkëpunon në mënyrë të fshehtë Lulzim Basha me Sali Berishën?
Basha: Në asnjë moment jo, këto janë marrëzira pa një pikë të vërtetë brenda që humbasin e publikut dhe keqinformojnë debatin publik. Ndarja ime me Sali Berishën është me 9 shtator 2021, finale e pakthyeshme!/ZËRI
Burimi