Sot seancë vendimtare! Fredi Beleri paraqitet në Gjykatën e Fierit, kërkon lirimin me kusht

Sot seancë vendimtare! Fredi Beleri paraqitet në Gjykatën e Fierit, kërkon lirimin me kusht

Fredi Beleri ne gjykate

FIER- Për të disatën herë me radhë, Fredi Beleri, ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, ka ngjitur shkallët e Gjykatës së Fierit, ku kërkon lirimin e tij me kusht nga qelia, edhe pse i kanë mbetur edhe shumë pak kohë nga dënimi i tij për korrupsion zgjedhor.
Tre seancat e mëparshme kanë dështuar për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm. Beleri përfaqësohet nga avokati Geni Gjyzari, gjyqtari i çështjes është Alfred Konomi, i cili do të shqyrtojë provat dhe argumentet e paraqitura nga të dyja palët.
Prokurori i çështjes është Oljana Gjergjefi, e cila do të përfaqësojë akuzën. Kjo seancë pritet të jetë vendimtare për fatin e Belerit, nëse ai do të lirohet apo jo disa muaj përpara shlyerjes përfundimtare të dënimit. Edhe seanca e sotme po ndiqet me interes nga mediat greke, ndërsa Beleri edhe pse në qeli u zgjodh eurodeputet në parlamentin Europian, nga radhët e Demokracisë së Re.

Fredi Beleri ndodhet pas hekurave prej datës 12 Maj 2023 dhe u dënua me 2 vite burg për blerje votash. Ai arriti të fitojë zgjedhjet e 14 Majit të vitit të kaluar nga qelia, por nuk u betua si kryebashkiak i Himarës pasi KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e tij.
Ndërkohë Fredi Beleri ka kërkuar lirinë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, por kërkesat e tij janë rrëzuar. Megjithatë pak javë më parë atij iu dha leje nga drejtoria e Burgjeve që të bënte betimin si eurodeputet në Parlamentin Europian, si përfaqësues i Greqisë./ZËRI 
Burimi