Sot seanca në Kuvend, opozita interpelancë me ministren e Shëndetësisë

Sot seanca në Kuvend, opozita interpelancë me ministren e Shëndetësisë

albana kociu

TIRANË- Kuvendi do të mblidhet këtë të enjte, në seancën e dytë brenda javës, pas disa ditëve pushim që deputetët i dhanë vetes, për të ndjekur ndeshjet e Kombëtares Shqiptare të Futbollit në Gjermani.
Në rendin e ditës pritet të jetë interpelanca me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu. Deputeti që depozitoi kërkesën për interpelancë në Kuvend, ishte deputeti demokrat, Tritan Shehu, në lidhje me ligjin e propozuar për surrogacinë, por pritet që i gjithë debati të zhvendoset te skandali në shërbimin onkologjik në QSUT, ku mjekë dhe infermierë ishin të përfshirë në korrupsion, duke rrezikuar jetët e pacientëve.
Për rastin, Gjykata e Tiranës bazuar në të dhënat operacionit, dha masën arrest shtëpie për Edmond Gashin, mjek në onkologjik i cili ka lidhje me një klinikën private, ku thuhet se transferoheshin pacientët. Po kështu, është lëshuar detyrim paraqitjeje për mjeken onkologe Alketa Pere dhe ish-zv/drejtoreshën e QSUT-së, e cila mbulonte shërbimin onkologjik në atë periudhë dhe dy persona të tjerë, të cilët merreshin me koordinimin në shërbimin onkologjik.
Vetë Koçiu dënoi rastin gjatë ditës së djeshme, ndërsa tha se paralelisht me hetimin e prokurorisë, është urdhëruar një hetim administrativ për strukturën e spitalit onkologjik. Ndërkohë që saga e pacientëve të sëmurë me kancer vijojnë, pasi përballen me mungesën e ilaçeve në Onkologjik. Gjatë ditës së djeshme pati dy kërkesa për interpelancë nga opozita për këtë çështje, por ato do të duhet të marrin miratimin në Konferencën e Kryetarëve, për t’u futur në rendin e ditës në Kuvend. /ZËRI
Burimi