Skenë filmash në Tiranë/ Punonjësi i argjendarisë dhe polici shkojnë për të shitur varësen 8 mln lekë, i presin me kallash

Skenë filmash në Tiranë/ Punonjësi i argjendarisë dhe polici shkojnë për të shitur varësen 8 mln lekë, i presin me kallash

Foto ilustruese

TIRANË- Një grabitje me armë zjarri ka ndodhur ditën e djeshme në zonën e Valiasit në Tiranë, ku pre ka rënë punonjësi i një argjendarie. Luis Balliu ka qenë nën shoqërinë e shokut të tij Egzon Mustavataj (agjent i krimeve), në momentin që është grabitur me armë nga dy persona, që nuk janë identifikuar edhe nga ana e policisë.
Autorët nën kërcënimin e një kallashnikovi, kanë mundur që të marrin nga punonjësi i argjendarisë një varëse floriri, me vlerë rreth 8 milionë lekë të vjetra. Mësohet se Balliu kishte folur në rrjetet sociale me blerësin për varësen, dhe kishin lënë një takim jashtë ambienteve të argjendarisë. Duke qenë se bëhej fjalë për një bizhuteri me kosto të lartë, Balliu i ka kërkuar shokut të tij polic, që ta shoqëronte.
Në dëshminë e tyre, dy personat kanë thënë se në momentin që kanë mbërritur në vendin e takimit me klientin e supozuar, ata janë përballur me një automjet me ngjyrë të zezë, tip “Golf 5”, me targa te huaja. Fillimisht mjeti ka ndaluar te këmbët e tyre, dhe nga aty kanë dalë dy persona të maskuar me kapuç dhe shall ku njëri prej tyre mbante një automatik në dorë.
Dyshohet se autori madje ka qëlluar në ajër për të frikësuar dy personat, dhe më pas ka mundur që të marrë varësen. Pas ngjarjes, punonjësi i argjendarisë ka shkuar në komisariatin nr. 5 dhe ka bërë kallëzimin.
Efektivi i policisë në momentin që ka ndodhur ngjarja ka pasur me vete pistoletën e shërbimit, por që nuk e ka përdorur. Në vendngjarje është gjetur një gëzhojë që dyshohet se i përket automatikut të autorëve./ZËRI 
Burimi