‘Skënderbeun e bëri si Edi Rama’/ Skulptori nga Kosova i përgjigjet Berishës: E ulët, abuzim!

‘Skënderbeun e bëri si Edi Rama’/ Skulptori nga Kosova i përgjigjet Berishës: E ulët, abuzim!

Gëzim Muriqi dhe statuja

TIRANË- Prezantimi i shtatores së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në komunitetin arbëresh në Siçili shkaktoi një debat politik në Shqipëri. E gjitha për shkak se kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shpërndau fotot të statujës, duke u shprehur se portreti i heroit kombëtar kishte ngjashmëri me kryeministrin Edi Rama.
Në një postim në rrjetin e tij social “Facebook”, Berisha shkruante se kishin transformuar qëllimisht pamjen Gjergj Kastrioti Skëndërbeut duke kryer (sipas tij) një akt poshtërues ndaj figurës së heroit kombëtar. 
‘Një akt poshtërues anti-kombëtar! Transformimi i pamjes së Skënderbeut, zëvendësimi i fytyrës së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu me surratin e narko-trafikantit Edi Rama është një përdhosje e figurës së Skenderbeut, historisë tonë dhe mbarë kombit shqiptar. Kjo do të ishte njëlloj sikur të zëvendësosh fytyrën e Bolivarit me fytyrën e Eskobarit,’- shkruante Sali Berisha.

Për herë të parë ka reaguar edhe skulptori Gëzim Muriqi nga Kosova, autorit i kësaj shtatoreje, i cili u shpreh se të gjitha deklaratat e bëra në rrjet (duke iu referuar Berishës) po përdoreshin për të sulme politike. Për të, pretendimet e ngritura nuk qëndrojnë.
“Këto janë abuzime, imazhi i Skënderbeut shfrytëzohet për të sulmuar kundërshtarin politik. Më besoni nuk ia vlen me u marrë. Unë kam qenë rrugës dhe nuk kam pasur mundësi për të parë çfarë po ndodh. Nuk e meritojnë shqiptarët e Italisë që të shfrytëzohen për inate politike. Thjesht nuk ia vlen që të diskutohet. Nuk ka marketing të keq. Është e ulët prej politikës që të përdoret kështu,”-tha Muriqi për “T7”.
Shtatorja e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut e punuar nga skulptori Gëzim Muriqi është vendosur në qendër të qytetit, Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në Sicili të Italisë. Kjo shtatore është dhuratë e Shoqatës “Hora e Skënderbeut“ nga Zyrihu i Zvicrës për Arbëreshët e Horës në shenjë mirënjohjeje për ruajtjen e traditës dhe kulturës shqipe, por edhe kontributin që kanë dhënë arbëreshet e Italisë për Kosovën gjatë luftës së fundit (1998/99).
Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) është një qytezë arbëresh me 6.427 banorë në Krahinën e Palermos, të rajonit të Sicilisë në Itali.Hora është një nga bashkësitë më të madha të komuniteteve historike shqiptare të Italisë, qendra më e rëndësishme dhe më e populluar e arbëreshëve të Sicilisë. Gjuha shqipe (arbërishtja) përdoret krahas asaj italiane në dokumentet zyrtare të Bashkisë, për banorët e saj./ZËRI
Burimi