Skandali nga Tajlanda, shtrihet edhe në Kinë! Asnjë gjurmë nga anijet me 1600 tonë mbetje toksike të ngarkuara në Shqipëri

Skandali nga Tajlanda, shtrihet edhe në Kinë! Asnjë gjurmë nga anijet me 1600 tonë mbetje toksike të ngarkuara në Shqipëri

foto ilustruese

TIRANË- Dy anije të ngarkuara me mbetje toksike të rrezikshme  nisur nga porti i Durrësit për në Tajlandë, janë një zhvillim shqetësues që ka ngritur pikëpyetje të mëdha për shkeljet e mundshme të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Autoritetet tajlandeze janë në garë për të ndaluar rreth 100 kontejnerë transporti të mbushura me mbetje të rrezikshme industriale nga Shqipëria. Teksa vijon puna për lokalizimin e dy anijeve që dyshohet se transportojnë ngarkesën me mbetje të rrezikshme, dërgesa nuk ka vend përfundimtar vetëm Tajlandën por edhe Kinën. Bëhet fjalë për një ngarkesë 1600 tonë mbetje toksike të ngarkuara në Shqipëri. Opozita ka ngritur akuza, për përfshirje të Shqipërisë në tregti ndërkombëtare të mbetjeve toksike. Autoritetet tajlandeze dhe rrjeti i Bazelit kanë konfirmuar zyrtarisht se Shqipëria nuk ka autorizuar zyrtarisht eksport mbetjesh.
Si u ngarkuan në mes të ditës dy anije të mëdha në Portin e Durrësit pa patur autorizim për eksport? Për përgjigjen, ende nuk ka asnjë njoftim nga zyrtarët e vendit tonë në lidhje me mbetjet të cilat kanë përfshirë edhe Shqipërinë. As Ministri i Mbrojtjes dhe as administrata doganore, nga qarkullimi i lajmit nuk kanë dhënë asnjë reagim zyrtare.
Çfarë dihet deri tani?
“Basel Action Netëork”, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA që gjurmon tregtinë toksike fillimisht lajmëroi Malajzinë për dërgesat e paligjshme të mbetjeve. Pas kësaj, informoi Tajlandën se kontejnerët që organizata besonte se ishin të mbushura me pluhur potencialisht të dëmshëm kishin ndryshuar kurs dhe po shkonin drejt vendit të tyre.

Si është përfshirë Shqipërianë këtë histori?
Në fakt është e dyshimtë mënyra se si është bërë ky transportim i këtyre mbetjeve që sipas ekspertëve të BAN është i rrezikshëm. Shqipëria si vend eksportues nuk ka dijeni për këtë ngarkesë me lëndë të rrezikshme. Gjithashtu edhe vendi tranzit Afrika e Jugut ku duhej të ankorohej anija, sikurse dhe Tajlanda që është shteti importues, nuk kanë dijeni, sipas Bloomerg.
Basel Action Netëork thotë se transporti i mbetjeve të rrezikshme pa miratimin e vendit eksportues (Shqipëria), vendeve tranzit (si Afrika e Jugut) dhe vendit të planifikuar importues (Tajlanda) është trafik i paligjshëm i mbetjeve sipas kushteve të Konventës së Bazelit. Faktet të çojnë të gjitha te kontrabanda dhe për më tepër, kapiteni i anijes ka fikur lokalizuesin me t’u njoftuar Afrika e Jugut për 100 kontinierët që po transportoheshin nga Shqipëria. Sipas Konventës së SOLAS, sinjali IAS (GPS) duhet të jetë gjithmonë i ndezur kur anijet janë në lëvizje ose të ankoruara. Vetëm në rastin e rrezikut të menjëhershëm, kur kapiteni është i sigurtë se transmetimi i vazhdueshëm i sinjalit dëmton sigurinë dhe mbrojtjen e anijes, vetëm atëherë mund të fiket.
Nisja nga porti i Durrësit
Sipas të dhënave të kompanisë, kontejnerët u ngarkuan në anijen “Contship Voë” më 4 korrik, në portin e Durrësit, Shqipëri. Kontejnerët u transferuan më pas në ‘Maersk Campton’ në Trieste dhe transferohen më tej në një anije të “Maersk”, në Singapor, më 18 gusht.
Çfarë deklaroi kompania Maerks
Kontejnerët janë në bordin e anijeve Campton dhe Candor të A.P. Moller-Maersk të A/S. Maersk konfirmoi se dy nga anijet e saj mallrash po transportojnë kontejnerë me origjinë nga Shqipëria të rezervuara nga një linjë tjetër detare.
Reagimi i Drejtorisë së Doganave
Drejtoria e Doganave informon se ka nisur një hetim ndërkombëtar dhe në bashkëpunim me OLAF po punohet për lokalizimin e anijes. Drejtoria konfirmon se kjo anije për të cilën shkruajnë mediat, është nisur nga Porti i Durrësit, ka pasur një ndalesë në Trieste dhe më pas ka nisur rrugëtimin për në Tajlandë, por nuk janë informuar se ngarkesa që kishte brenda ishte me mbetje të dëmshme dhe të ndaluara.
“Ka nisur një hetim ndërkombëtar për rastin, pas një njoftimi të mbërritur nga Sekretariati i Konventës se Bazelit për trafik mbetjesh toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës. Menjëherë drejtoria Antitrafik pranë doganës Shqiptare është bërë pjesë e hetimit në bashkëpunim me OLAF. Dogana konfirmon se anija që ka fikur sinjalin e vendndodhjes është nisur nga Durrësi dhe pas një ndalese në Trieste ka vijuar rrugëtimin e saj me destinacion Tajlandën”, thuhet në reagimin e Drejtorisë së Doganave.
REAGIMET
Në një deklaratë për mediat, ish-kryeministri Sali Berisha thotë se prapa tregtisë me lëndë të rrezikshme qëndrojnë autoritet më të larta të vendit. Berisha tha se “i bën thirrje OKB, NATO por edhe OSBE në një komision veças ose të përbashkët të hetojë aferën e 100 kontejnerëve me lëndë toksike dhe të gjendet përmbajtje e tyre”.
“Prej dy javësh, agjencitë e mëdha botërore të lajmeve, mediat ndërkombëtare qarkullojnë lajmin e eksportit nga Shqipëria të 100 kontenierëve me dy anije të lëndëve të rrezikshme, në shkelje kjo, flagrante të marrëveshjes së Bazelit dhe akteve të tjera ndërkombëtare, në shkelje flagrante të çdo ligji të këtij vendi. Ndonëse PD-ja denoncoi që në fillim eksportin e 100 kontenierëve më lëndë të rrezikshme, helmuese nga Shqipëria, fillimisht destinacioni Trieste, por pasi gjykata e Triestes i ndaloi, destinacioni Tajlandë, qeveria shqiptare, autoritetet e këtij vendi, kanë aplikuar kodin e mafias, kodin e omertas, heshtje të plotë.  Vetëm pas shqetësimeve të mëdha dhe interesit direkt të institucioneve ndërkombëtare, autoritetet shqiptare deklaruan se ne, nuk kemi autorizuar eksportin e kontenierëve nga porti i Durrësit. Kjo deklaratë skandaloze e autoriteteve zyrtare shqiptare, fajëson ata dhe dëshmon se prapa tregtisë me lëndë të rrezikshme për jetën e qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve të vendeve të tjera, qëndrojnë autoritetet më të larta të vendit, qëndron Edi Rama. Në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mundet që një akt i tillë madhor, kërcënues për shëndetin e qytetarëve shqiptarë dhe të vendeve të tjera, të ndodhë pa autorizimin e një seri agjencish, të cilat paguhen nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, pikërisht për të kontrolluar çdo produkt që prodhohet në këtë vend. Për të kontrolluar të gjitha mbetjet që prodhohen dhe pasojat e tyre mjedisore. Për të kontrolluar destinacionin e këtyre mbetjeve. Me polici, dogana, Shërbimi Informativ, autoriteti portal, por një dorë nga sipër, një urdhër nga sipër për interesa më eprore, bëri që të gjitha këto institucione në rastin e 100 kontenierëve të nisur nga porti i Durrësit me lëndë toksike, të heshtin, të mos ekzistojnë.”-tha Berisha.
Një reagim ka ardhur edhe nga gazetari Klodian Tomorri, ku thekson se SPAK sot duhet të ishin në doganë dhe në zyrat e Portit duke sekuestruar materiale dhe prova për skandalin e tmerrshëm të mbetjeve toksike.
“Heshtja është pohim! Normalisht prokuroret e SPAK sot duhet të ishin në doganë dhe në zyrat e Portit duke sekuestruar materiale dhe prova për skandalin e tmerrshëm të mbetjeve toksike. Panorama tani është e qartë. Shqipëria është përfshirë në tregti ndërkombetare të mbetjeve toksike. Sot plasi skandali i Kinës. Pra nuk kemi të bëjmë me një ngjarje të izoluar, por me një aktivitet të mirëfilltë kriminal. Ky lloj aktiviteti nuk ka asnjë shans të bëhet pa përfshirjen e drejtëpërdrejtë të shtetit, përkatësisht të strukturave të sigurisë kufitare, doganave, portit dhe policisë. Nuk ngarkohen anijet në mes të ditës në Port pa qënë të përfshirë doganat dhe Porti. Dhe implikimi duhet të jetë në nivelet më të larta. Kjo histori e bën Shqipërine shtet të pastër mafioz, që i ka futur tmerrin gjithë vendeve të botës se u con helme. Tani problemi është se andej po kapen të gjitha dhe kontenieret do të kthehen në Shqipëri. Bëhet fjalë për 1600 tonë mbetje toksike, Kine plus Tajlande, të cilat do të kthehen në Durrës. Ku do të shkojnë pasi të shkarkohen në Durrës? Rreziku që ato të depozitohen pa u trajtuar duke helmuar njerëzit është i madh. Për sa kohë këtu nuk funksionon kontrolli kufitar dhe mbetjet e rrezikshme hyjnë e dalin lirshëm nëpër porte dhe pika doganore, kush është aq naiv të mendojë se ekziston kontrolli i brendshëm? Prandaj SPAK duhet të kishte hapur urgjentisht hetimet për këtë çështje. Normalisht këtu do të duhet të kishte edhe arrestime të profilit të lartë në flagrancë gjatë këtyre ditëve. Heshtja është pohim. Në këtë rast pohimi i realitetit që vendin e ka kapur prej fyti mafia dhe krimi me pushtet,”-deklaron gazetari.
Shqipëria, si vend nënshkrues i Konventës së Bazelit, ka detyrime të qarta për të mos lejuar eksportin e mbetjeve të rrezikshme në vende që nuk janë të pajisura për t’i trajtuar ato në mënyrë të sigurt. Nëse mbetjet që po transportohen drejt Tajlandës klasifikohen si të rrezikshme, kjo përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të kësaj konvente. Tajlanda ka vendosur t’i kthejë ato në vendin e origjinës, pra në Shqipëri, dhe kriza do të vijë sërish këtu, duke përbërë një kërcënim serioz për mjedisin dhe njerëzit.
Çfarë parashikon ligji
Sipas nenit 6 të Konventës së Bazelit, të ratifikuar me ligjin nr. 8216, datë 13.5.1997, Shqipëria ka pasur detyrimin të njoftojë dhe t’i kërkojë prodhuesit ose eksportuesit që të njoftonte me shkrim, përmes Drejtorisë së Ekonomisë Qarkulluese pranë ministrisë përkatëse, autoritetin kompetent të shteteve të interesuara rreth çdo lëvizjeje të propozuar ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera. Vetëm pas njoftimit të shtetit të importit dhe shtetit të tranzitit, dhe marrjes së pëlqimit nga këto shtete, mund të vijohej me transportin e mbetjeve të rrezikshme dhe autoritetet shqiptare portuale të vijonin me procesin.
Në përputhje me Konventën, Shqipëria (autoritetet shtetërore) nuk duhej të kishte lejuar prodhuesin ose eksportuesin të fillonte lëvizjen ndërkufitare derisa të kishte marrë konfirmimin me shkrim që njoftuesi ka marrë pëlqimin me shkrim të shtetit të importit, si dhe që njoftuesi ka marrë prej shtetit të importit konfirmim mbi ekzistencën e një kontrate midis eksportuesit dhe asgjësuesit, duke specifikuar trajtimin e plotë nga ana mjedisore të mbetjeve në fjalë. Sipas nenit 9 të Konventës, në kushtet kur mungon njoftimi i shtetit të tranzitit dhe shtetit të importit, si dhe mungon miratimi i tyre i shkruar, ndodhemi përballë trafikut ilegal të mbetjeve.
Çfarë përmbajnë mbetjet toksike që ndodhen në anijet e “Maersk”
Më shumë se 816 tonë pluhur furre me hark elektrik u ngarkuan në anije në Shqipëri dhe më pas u transferuan në anijet me kontejnerë Maersk në Trieste, Itali. Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike, si Kadmiumi dhe Kromi, që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin. Këto produkte kimike të cilësuara helmuese dhe kancerogjene, të dëmshme për shëndetin, dalin nga filtrimi i shkrirjes së çelikut në furrat metalurgjike. Kadmiumi (Cadmium) cilësohet si një nga elementët kimikë më toksikë apo me dëme në shëndet. Ekspozimi akut në nivele të larta për një periudhë të shkurtër kohore ndaj kadmiumit, mund të rezultojë në simptoma të ngjashme me gripin, (të dridhura, ethe dhe dhimbje muskulore) dhe mund të dëmtojë mushkëritë. Ekspozimi kronik, niveli i ulët për një periudhë të gjatë kohore, mund të rezultojë në sëmundje të veshkave, kockave dhe mushkërive.
Nuk ka ende konfirmim zyrtar se cila ka qenë origjina e këtyre mbetjeve./ZËRI
Burimi