Skandali me qumështin “Lufra” në “Big Market”, AKU ‘në gjumë’, kërkon informacione nga ZËRI
Gazetari Andi Llabuti, Lufra, Big Market dhe AKU
TIRANË- Për qumështin “Lufra” të prishur, i blerë në një nga pikat e “Big Market”, rast i denoncuar nga gazetari Andi Llabuti, mund të ketë dijeni një Shqipëri e tërë, por Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, autoriteti përkatës që duhet ta kishte monitoruar situatën dhe parandaluar shitjen e këtij produktit, vijon të jetë në ‘terr informativ’.
Nisur nga rëndësia e produkteve ushqimore bazë në jetën e çdo qytetari, një prej tyre dhe qumështi, ZËRI e ka ndjekur këtë çështje duke parë dhe shqetësimin e komentuesve, të cilët kërkojnë të dinë nëse janë marrë masa për kompaninë që e ka prodhuar apo marketin që e tregton.
Kështu bazuar në ligjin nr.119/2014 për të drejtën e informimit dhe duke pasur si gjithmonë parimin për transparencën e çdo informacioni të publikuar, ZËRI i dërgoi një kërkesë për informacion AKU-së.
Qëllimi ishte informimi për vijueshmërinë e situatës, por ajo që kuptuam është që ky institucion as që është në dijeni të një çështjeje që ështëpublikuar në çdo media e çdo rrjet social.
Madje, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kërkon informacion nga gazetarët e ZËRI-t.
Konkretisht, AKU kërkon të dijë nga ZËRI se:
-Në cilin subjekt BIG Market është blerë ky produkt ?
-Në çfarë temperature e ka mbajtur gazetari LLabani produktin qumësht nga blerja ne dyqan deri në konstatimin e tij të prishur?
Si dhe:
-Vënien në dispozicion të faturës për blerjen e produktit.
Emaili i AKU
Pra, pa bërë një punë të mirëfilltë kërkimore dhe hetuese, AKU nuk të jep informacionin E kërkuar.
Në fakt, kjo është puna e inspektorëve, të cilët ditën që gazetari ngriti alarmin (në mos më parë) duhet të kishin inspektuar çdo pikë “Big Marketi” dhe pikën e prodhimit të qumështit “Lufra” për tu njohur me mënyrën se si del në treg e shitet ky produkt.
Nëse gazetari e bëri publik rastin, sa qytetarë të tjerë janë gjendur përballë një situate të tillë dhe nuk e kanë denoncuar?
Këtë nuk dimë ta themi ne, pasi siç ua thamë më lart, kërkohet një hetim në detaj të çështjes, gjë që ne e presim nga AKU, autoriteti i ngarkuar për këtë gjë, ndërsa vetë AKU e pret nga gazetarët!