Skandali me overdraftet tek OTP Albania/ Banka pranon mashtrimin: Klientët s’na dhanë autorizim, i kemi anuluar dhe kemi marrë masa
Banka OTP Albania
TIRANË- Banka OTP Albania ka zhvilluar një komunikim me Bankën e Shqipërisë pas shkeljeve të gjetura nga Departamenti i Mbikëqyrjes pas mashtrimit të një sërë klientëve me overdraftet. Në shkresën e publikuar nga ZËRI vihet re se pas shkresës së dërguar në Bankën e Shqipërisë, Banka OTP Albania Banka i ka kthyer përgjigje njoftimit ku argumenton se nuk ka pasur ndryshim të produktit nga kartë krediti në overdraft, por nga ana tjetër ka marrë masa për anulimin e këtyre overdrafteve dhe klasifikimin e tyre si kredimarrës me probleme.
Gjithashtu, në përgjigje, Banka pranon se nuk ka kërkesë apo miratim nga klientët dhe as njoftim të tyre për hapjen e overdrafteve.
Shkresa
Cila ishte skema që u përdor:
Konkretisht, Banka “OTP Albania”, kartat e kreditit të klientëve të ish-Bankës Alpha, pas ndryshimit të procesorit të kartave dhe bashkimit me përthithje, i ka hapur në formën e overdraft-it me datë hapje gusht 2023 dhe me balancë debitore që përbehet nga komisione të disa viteve të shkuara, për të cilat klienti nuk ka qenë në dijeni dhe nuk janë raportuar si detyrim nga ish-Banka Alpha.
Këtu përfshihen edhe karta krediti të mbyllura, me status “5” në Regjistrin e Kredive, si dhe karta të skaduara. Këtyre klientëve u janë ngarkuar në vijim komisione të tjera shtesë nga sistemi i Bankës OTP.
Rrjedhimisht, detyrimet e këtyre kartave të kreditit shfaqen si overdrafte me tepricë debitore dhe të klasifikuara si kredi me problem, gjë për të cilën klientët nuk kanë pasur dijeni.
Për këtë shkelje, Banka e Shqipërisë ka marrë vendimin që ta gjobisë bankën 0.8 milionë lekë të reja.
Numri i klientëve që janë mashtruar nuk dihet ende dhe nuk dihet as se çfarë masash janë marrë kundrejt klientëve. A rezultojnë ata ende kredimarrës të këqinj? Si është proceduar me çështjen e tyre?
ZËRI i dërgoi një kërkesë për informacion Bankës së Shqipërisë për tu njohur me të tjera detaje, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë ende një përgjigje.