Skandali me mbetjet toksike, Prokuroria e Durrësit shkon në zyrat e KURUM, në sitë dokumentat e shitjes me SOKOLAJ
KURUM
TIRANE- Prokuroria e Durrësit ka shkuar paraditen e sotme (e hënë) pranë zyrave të kompanisë Kurum në Elbasan për të marrë të gjithë dokumentacionin në lidhje me eksportin e konteinerëve me mbetje, të shitura tek kompania Sokolaj e që tashmë ndodhen të bllokuara në Tajlandë. Këto mbetje dyshohet se janë toksike, ndërkohë që roli i Kurum në këtë transport mbetjesh është vënë në shënjestër të prokurorisë por edhe mediave. Prokuroria ka nisur hetim për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluar ose të kufizuara”.
Sipas BIRN, Kurum International” është origjina e qindra ton mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme që dyshohet se janë eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, duke përhapur një alarm global.
Jo më larg se dje, Kurum shpalli mbylljen e uzinës së çelikut në Elbasan duke flakur në rrugë 500 punonjës, të cilët janë të pambrojtur përballë turqve. Aktualisht, edhe Inspektoriati i Punës ndodhet pranë Kurum për të parë kontratat e punës me punonjësit që kanë ngelur tashmë në rrugë.
Aktualisht në këtë kompani vijon punën vetëm sektori i shitjes, ndërsa të mbyllura janë Uzina e Çelikut dhe Petëzimit.
Shkak i ndërprerjes sipas kompanisë është bërë rritja e kostos së prodhimit të çelikut, duke bërë që kjo kompani të mos jetë konkurruese me tregun e Kinës dhe Turqisë.
Kompania turke pretendon se janë lajmëruar punonjësit dhe se është bërë marrëveshja e sindikatën e punonjësve për ndërprerjen e punës, dhe se u është premtuar vijimi i pagesës deri në Tetor 2024.
Ndërkohë që prokuroria kërkon nga Kurum çdo shkresë që disponon për shitjen e mbetjeve te “Sokolaj shpk” apo subjekte të tjera, që nga viti 2020 e deri në vitin 2024. Javën e ardhshme pritet që të merren sërish në pyetje administratorët e kompanisë Sokolaj shpk, ata të KURUM dhe autoritetet e Doganave dhe Portit të Durrësit. /ZËRI
Burimi