Skandali me mbetjet toksike/ KURUM mbyll fabrikën, 500 punonjës në rrugë
FOTO ILUSTRUESE
TIRANË-Gati 500 punonjës të kompanisë turke Kurum, që deri më tani punonin në uzinën e Çelikut në Elbasan kanë mbetur të papunë. Burime për ZËRI, bëjnë me dije se Kurum ka vendosur të mbyllë fabrikën, me argumentin se kostot e prodhimit janë të larta. Nga 1 gushti firma ka ndaluar prodhimin dhe nga 20 gushti edhe përpunimin, ndërkohë që asnjë njoftim nuk është dhënë nga firma turke, e cila për vite me radhë ka shfaqur probleme nga më të ndryshmet. Së fundmi, kjo kompani, është në qendër të akuzave pas lajmit se mbetjet e dyshuara si të rrezikshme të kësaj kompanie, iu shitën kompanisë Sokolaj dhe u bllokuan në Tajlandë, pasi nuk kishte autorizim për tu pranuar.
Mbetjet toksike të cilat kaluan nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, mbi të cilat po hetojnë autoritet shqiptare bashkë me Olaf, thuhet se u nisën nga impianti ‘Kurum’ pranë metalurgjikut në Elbasan. Mbetjet toksike më pas i ka shitur tek kompania ‘Sokolaj’. Më pas, ‘Sokolaj’ ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë, ndërsa kontejnerët janë nisur nga porti i Durrësit me destinacion fundor Tajlandën më 4 korrik 2024.
Kompania “Kurum” nuk ka një histori të lumtur në Shqipëri dhe ka qenë objekt i lajmeve të herëpashershme në media. Denoncimet e punonjësve për shkurtimet e vendeve të punës, kushtet e këqija në punë, ndotja e mjedisit në qytetin e Elbasanit janë kryefjala që shfaqet për këtë kompani./ZËRI
Burimi