‘S’jam hajdut, jam 196 cm i gjatë’/ Kush është Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë
Ilir Beqaj
TIRANË- Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë është vendosur në pranga me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. SPAK e akuzon ish-ministrin për abuzim me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që ka drejtuar SASPAC. Por kush ishte Beqja, një nga ministrat më të akuzuat që prej vitit 2013? ZËRI, në vijim do t’ju njohë me një skedë të shkurtër të gjithë “kulminacioneve” të jetës politike të Beqajt deri më sot, kur do i duhet që të përballet me drejtësinë për disa akuza të ndryshme. Ilir Beqaj është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë në Qarkun e Shkodrës në legjislaturën 2009 – 2013, ndërsa në vitin 2013, garoi në Durrës duke e fituar sërish ulësen në Kuvend.
Por angazhimi i tij pranë Partisë Socialiste ka nisur më herët, prej 2007-s, kohë kur ai ishte anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Në periudhën 2007 – 2011 ka kryer detyrën e nënsekretarit për programin në Partinë Socialiste. Ndërsa nga viti 2011 u bë anëtar i Kryesisë së PS-së, post që e mbajti për 2 vite…derisa në vitin 2013 iu besua posti i ministrit të Shëndetësisë.
AKUZAT E SPAK
Njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka regjistruar procedimin penal për koncesionet e dyshimta të shëndetësisë. Koncesionet me vlerë dhjetra milionë euro të ministrisë së Shëndetësisë janë bërë objekt i një hetimi të gjerë, të nisur së fundmi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ish-ministri i shëndetësisë, ishte gjithashtu nën hetim, dhe nën masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje” për ‘shpërdorim detyre’, lidhur me kontratën koncensionare të Sterilizimit.
“PERLAT” E BEQAJT NDËR VITE
Gjatë kohës së pandemisë, teksa diskutohej lidhur me shpenzimet ditore që duhet të bëjnë qytetarët shqiptarë gjatë periudhës së koronavirusit në Shqipëri. “Live” para të gjithëve, Denis Dynjaja pyeti deputetin e Partisë Socialiste nëse mund të jetohet me 26 000 mijë lekë, teksa Pano Soko ndërhyri duke u shprehur se 100 000 lekë janë vetëm drita. Në këtë moment e pa të arsyeshme që të jepte këshillat e tij.
Ish-ministri u shpreh se dritat nuk janë aq, por po t’i mbash ndezur shkojnë aq.
“Mund të ishe me 0 lekë. Po t’i mbash dritat ndezur sigurisht që 100 mijë lekë janë,”- tha ndër të tjera ish-ministri.
Madje shtoi: Ne duhet të fillojmë të kursejmë, nuk mund të vazhdojmë të shpenzojë si para tre muajsh sepse e ardhmja jonë për gjashtë muajt e ardhshëm është ende në pikëpyetje.
Por nuk u ndal me kaq! Gjatë të njëjtës periudhë të koronavirusit, në kuadër të kursimit, Beqaj kërkoi edhe uljen e pensioneve dhe të pagave të administratës. Por propozimi i parë nuk u prit fare mirë. Por gabimin e kuptoi shpejta dhe menjëherë tentoi të mbulonte “mufkën” që lëshoi duke shtuar se në fakt në fokus pensionin e deputetit të Partisë së Lirisë, (ish-LSI), Petrit Vasilit. E teksa fliste, la pas edhe një tjetër perlë. Ish-ministri propozoi që të gjitha familjeve të varfra t’ju jepet smartfonë, që të kenë akses në teknologji. Po, një smartfon në kohë pandemie.
Rreth kësaj periurdhe u lajmërua që SPAK kishte nisur hetimet për Beqajn, e po ashtu, rastësisht kryeministrin Edi Rama sapo kishte bërë një batutë, duke u shprehur se “nuk ka hajdut të gjatë 2 metra”. Këtë fjali të Ramës, mesa duket shumë ia kishin dërguar ish-ministrit të Shëndetësisë, i cili e pa të arsyeshme që të adresohej publikisht duke sqaruar edhe njëherë sesa i gjatë është.
“Meqë shtatlartësia ime po bëhet objekt kërshërie “social media”, herën e fundit që jam matur (mars 2019) kam qënë 196 cm,”-shkruan socialisti.
Pasi sqaroi edhe njëherë çështjen e gjatësisë së tij, në 2021, Ilir Beqaj mori drejtimin e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Agjencia ishte parashikuar që të të gjitha fondet e huaja me një vlerë rekord prej gati 1 miliard eurosh në vit. Por nuk e dinte se do të ishte pikërisht kjo detyrë që do t’i vendoste prangat në duar. Megjithatë detyrën e kishte nisur me zell, duke premtuar se do të punonte pa pushim (mesa duket vetëm për veten e tij).
“Agjencia është e re është krijuar prej tre javësh ndërsa unë si drejtues i saj jam sot në ditën e tretë të detyrës. Agjencia nuk e nis nga hiçi. Ky aktivitet tregon për trashëgiminë mbi të cilën do ngrihet agjencia. Ajo është një qasje e kahershme e imja prej 25 vitesh. Jam mësuar të punoj 24/7. Kjo agjenci do të jetë në dispozicion gjatë gjithë kohës,”-thoshte Beqaj.
Madje, aq seriozisht, e mori detyrën e tij në SASPAC, saqë në vitin 2023, refuzoi mandatin e deputetit të lënë bosh nga Benet Beci, i cili garoi dhe fitoi postin e kryebashkiakut në Shkodër.
PASURIA E BEQAJT
Agjensia “BIRN” paraqiti pasurinë e deklaruar nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018. Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2003, Ilir Beqaj zotëronte pasuri me vlerë 12.5 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare është 6-fishuar duke kapur vlerën e gati 80 milionë lekëve.
Beqaj deklaronte familjarisht likujditete bankare me vlerë 46.9 milionë lekë, pasuri të patundshme me vlerë 29.3 milionë lekë, automjete me vlerë 3.3 milionë lekë dhe pjesë në kapital me vlerë 95,9 mijë lekë. Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 151.6 milionë lekë, ku burimi kryesor ka qenë kompania Intech+. Por Beqaj, as këtë kompani nuk e ka më, pasi më 20 gusht 2013, i ka shitur 51% të kuotave të tij, Sokol Sinanit. Nga kjo shitje ish-ministri futi në bankën e tij 180 milionë lekë të vjetra.
Megjithatë biznesin nuk e kishte lënë kurrë! 6 muaj më parë, ZËRI zbardhi dosjen e plotë në ngarkim të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili tashmë përpos akuzave për kontratat e Sterilizimit po përballej edhe me akuzat e pastrimit të parave, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Në dosjen e siguruar nga ZËRI u raportuan përgjimet e ish-ministrit dhe vartësve të tij, të cilët “thurin” plane për të lëshuar fatura fiktive për shërbime të pakrera me qëllim pastrimin e parave. Për të “pastruar paratë” Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij përdornin restorantët Gzona dhe Me ‘nam. Faturat e tyre të fryra kapnin edhe shifrat prej gati 40 mijë eurosh, të cilat firmoseshin më pas nga Beqaj.
Madje dhe e shoqja dyshohet se e ka qenë e përfshirë në këtë skemë, pasi kompanitë e saj, ua kishte shitur personave të afërt për shifrat të pakonsiderueshme, duke ngritur dyshimet se edhe pas shitjeve “dejure”, “defacto” ajo ishte sërish pronare. Në dosje, raportohej gjithashtu se SPAK kishte nisur një hetim pasuror ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj edhe për lidhje me kompanitë farmaceutike ‘Delta Pharma’./ZËRI
Burimi