Si hyri 36-vjeçari në Shqipëri? Elis Rroshkodoli lëvizte lirshëm me armë në çantë, pistoleta dërgohet për ekzaminim
Elis Rroshkodoli
SHKODËR-Hetimet vijojnë për vrasjen e ndodhur mesditën e 30 gushtit, ku Elis Rroshkodoli u ekzekutua me 18 plumba teksa ndodhej në ambjentet e një lokali në Zdrale. 36-vjeçari sipas të dhënave të siguruara në kuadër të hetimit, ishte parë kryesisht në zonën e Zdrales, ku mbeti i vrarë. Burimet thanë, për Oranews se Elis Rroshkodoli, për disa kohë ka qëndruar në Shqipëri, por në një qytet tjetër.
Nga verifikimet në sistemin TIMS, Elis Rroshkodoli, rezulton se nuk ka bërë lëvizje kohët e fundit. Ky fakt ngre dyshime se ai mund të ketë hyrë ilegalisht në vend, ose mund të ketë përdorur identitet tjetër. Të dhënat janë duke u verifikuar thanë burimet. E shkuara dhe zbulimi i një pistolete në çantën personale të 36-vjeçarit ka ngritur dyshime se Elis Rroshkodoli mund të jetë i përfshirë në krime.
Arma e zjarrit e cila iu gjet viktimës në çantë, me fishek në fole mësohet se është dërguar në laboratorin e policisë shkencorë për ekzaminim. Grupi hetimor i atentatit kërkon përgjigje nëse arma është përdorur për krime në qytetin e Shkodrës, apo zona të tjera të vendit. Lidhja e provave të gjetura në çantën e viktimës me disa vendngjarje do ti shërbeje dyshimit të policisë për aktivitetin e 36-vjeçarit.
36-vjeçari është qëlluar teksa pinte kafe në një lokal në unazën perëndimore. Automjeti i dyshuar që ende nuk është gjetur ka marrë rrugën në të majtë në drejtim të hyrjes së Shkodrës duke humbur gjurmë më pas. Në lokal në momentin e vrasjes ndodheshin katër persona, viktima, pronari i lokalit dhe dy klientë të tjerë. Njëri prej dëshmitarëve ka qenë shumë afër 36-vjeçarit por ia deklaruar se nuk ka qenë me të në tavolinë dhe se viktima po pinte kafe i vetëm. Lokali ku ndodhi vrasja mësohet se nuk ka kamera sigurie, gjë e cila e vështirëson më shumë punën për policinë.
Efektivët kanë mbledhur kamera të tjera për të gjetur lëvizjet e automjetit, por makina me të cilën u krye vrasja humb gjurmët në akse të pa monitoruara nga kamerat. Dëshmitarët kanë treguar vetëm se kanë parë një automjet dhe asgjë tjetër lidhur me vrasësit. Ndërkohë Elis Rroshkodoli është djali i Kujtim Haxhisë, ky i fundit i vrarë në vitin 1995 në Shkodër pas një konflikti duke lënë në moshën 7 vjeçare të birin që u ekzekutua një ditë më parë. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasje në Shkodër./ZËRI
Burimi