Shuhet Ismail Kadare, Rexhep Qosja i jep lamtumirën: Rexhep Qosja: Ka pasur polemika mes nesh, por nderimi nuk ka munguar

Shuhet Ismail Kadare, Rexhep Qosja i jep lamtumirën: Rexhep Qosja: Ka pasur polemika mes nesh, por nderimi nuk ka munguar

Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare

PRISHTINË- Ndoshta ka qenë reagimi më i pritur i ditës, por erdhi edhe pse vonë! Shkrimtari i njohur nga Kosova, Rexhep Qosja, i ka dedikuar disa vargje Ismail Kadaresë, i cili u shua ditën e sotme. Në rrjetin e tij social, Qosja fillimisht bën ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Kadaresë. E më pas ndalet tek marrëdhënia e tyre personale, e cila jo gjithmonë ka qenë me tone të qeta.
“Mes Ismail Kadaresë dhe meje kohë pas kohe ka pasur edhe gjykime e vlerësime polemike si pasojë e pikëpamjeve tona të ndryshme për cështje të ndryshme kulturore dhe letrare në përgjithësi. Në letërsinë evropiane është bërë historike bindja e pranuar prej krijuesve më të shquar evropianë se ata që polemizojnë me njëri tjetrin ata polemizojnë sepse e nderojnë dhe e duan njëri tjetrin,”-shkruan Qosja.
Më pas, ndalet për të vlerësuar figurën e gjeniut të librave, duke vënë theksin se pasuria që ai ka lanë pas, do të shkruhen në historinë e Shqipërisë.
“E gjithmonshme dhe e gjithkohshme është edhe krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë: proza letrare, shkrimet publicistike, trajtesat historiko letrare dhe kritike e eseistike. Të gjitha këto – emri Ismail Kadare, jetëshkrimi i tij, krijimtaria mendore, veprimtaria kulturore, shoqërore, etike dhe kombëtare në përgjithësi përbëjnë vlerën e madhe kulturore shqiptare.”
Fërkimet e para mes Rexhep Qosjes dhe Ismail Kadaresë, me shumë gjasa duhet të jenë shënuar në fillim të viteve 70-të, pas disa kritikave që Qosja shkroi për veprën e Kadaresë në atë periudhë. Por nuk ishte e vetmja! U zhvillua një luftë e gjatë mediatike që u shoqërua me shkëmbimin disamujor të akuzave dhe kundërakuzave në planin moral, intelektual dhe politik mes të dyve. Debati nisi nga një libër i Kadaresë që arsyetonte rreth identitetit kombëtar të shqiptarëve. Qosja iu përgjigj me një seri shkrimesh duke e akuzuar shkrimtarin për racizëm ndaj myslimanëve shqiptarë dhe myslimanëve në tërësi.
Kadare dhe Qosja kanë pasur rivalitet mes tyre që në vitet e para të demokracisë, duke kulmuar në vitin 1997, kur Qosja e cilësoi rebelimin që kishte dërguar Shqipërinë në anarki, “Revolucion të vonuar Demokratik” duke dalë qartazi në përkrahje të opozitës, kurse Kadare në një intervistë për e cilësoi rebelimin si një përplasje midis komunistëve dhe nacionalistëve duke dalë përkrah qeverisë.
Por duket se pavarësisht çdo gjëje, mes tyre, ka mbizotëruar gjithmonë respekti.
REAGIMI I PLOTË I REXHEP QOSJES: 
Të hënën, më 1 korrik, u nda nga jeta intelektuali dhe krijuesi Ismail Kadare. U shpreh ngushëllimet më të thella bashkëshortes së tij shumë të nderuar e të dashur, shkrimtares Helena Kadare, bijave të tij Gresa dhe Besiana dhe të gjithë familjarëve të tjerë të familjes Kadare. U shpreh ngushëllimet më të thella edhe miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe lexuesve të tij të shumtë. Ismail Kadare dhe unë kemi pasur takime kur e kur edhe familjare, bashkëbisedime, vlerësime e nderime të ndërsjella. Mirëkuptimi dhe nderimi i ndërsjellë mes Ismail Kadaresë dhe meje në masë të madhe do të bazohej në qëndrimin tim ndaj tij kur ai do të shpërngulej prej Tiranës në Paris.
Mospajtuesve që do ta kritikojnë Ismail Kadarenë me familjen që ishin larguar prej Atdheut unë do t’u përgjigjem: ky është qëndrim i atdhetarit dhe i krijuesit Ismail Kadare dhe këtë qëndrim të tij ne duhet ta respektojmë me mendje e me zemër. Unë jam i sigurt se frytet e shpërnguljes së Ismail Kadaresë në Paris ne do t’i shohim dhe përjetojmë shpejt në kulturën tonë kombëtare. Ismail Kadare dhe unë kohë pas kohe kemi shkruar për krijimtarinë e njëri tjetrit. Unë e kam propozuar përkthimin e romanit të tij Kështjella në gjuhën serbo-kroate dhe kam shkruar një parathënie shumë vlerësuese për romanin dhe krijuesin e tij Ismail Kadarenë. Ismail Kadare, ndërkaq, e ka shkruar parathënien për romanin tim Vdekja më vjen prej syve të tillë të botuar në Paris. Por, mes Ismail Kadaresë dhe meje kohë pas kohe ka pasur edhe gjykime e vlerësime polemike si pasojë e pikëpamjeve tona të ndryshme për cështje të ndryshme kulturore dhe letrare në përgjithësi. Në letërsinë evropiane është bërë historike bindja e pranuar prej krijuesve më të shquar evropianë se ata që polemizojnë me njëri tjetrin ata polemizojnë sepse e nderojnë dhe e duan njëri tjetrin.
Familjarët e Ismail Kadaresë dhe të pikëlluarit e tjerë i ngushëlloj me besimin se ndarja e Ismail Kadaresë nga jeta është vetëm një ndarje trupore. Emri i tij dhe jetëshkrimi i tij janë të gjithmonshëm, sepse janë emër dhe jetëshkrim të pavdekshëm, janë historikë. E gjithmonshme dhe e gjithkohshme është edhe krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë: proza letrare, shkrimet publicistike, trajtesat historiko letrare dhe kritike e eseistike. Të gjitha këto – emri Ismail Kadare, jetëshkrimi i tij, krijimtaria mendore, veprimtaria kulturore, shoqërore, etike dhe kombëtare në përgjithësi përbëjnë vlerën e madhe kulturore shqiptare. Në sajë të tyre Ismail Kadare në të përtashmen dhe në të gjithë të ardhmen do të jetë personalitet madhështor historik i Kombit Shqiptar, të cilit do t’ia dhurojnë ndjenjat e tyre, mendimet e tyre, përkushtimet e tyre të gjithë brezat e shqiptarëve pavarësisht ku do të jetojnë ata.
Zemra e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare u ndal sot në moshën 88-vjeçare. Shkrimtari i madh është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Aktualisht trupi i Kadares ndodhet në ambientet e një agjencie funerale në kryeqytet, ku edhe po i bëhen përgatitjet e fundit për ceremoninë mortore./ZËRI
Burimi