Shtyhet data e hapjes së qendrave të emigrantëve në Lezhë, Meloni: Kemi hasur vështirësi
Giorgia Melon
ITALI- Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni gjatë një komunikimi me Këshillin e Ministrave ka komentuar situatën me qendrat e pritjes së emigrantëve që priten të hapen në javët në vijim në Lezhë. Megjithëse ishte parashikuar që qendrat të hapeshin më 1 shtator, kryeministrja italiane ka theksuar se ato do të jenë funksionale në javët e ardhshme, mirëpo nuk ka specifikuar një datë. Meloni ka shpjeguar se qendrat e pritjes së emigrantëve në Shqipëri do të shërbejë dhe si një model inovativ për vendet e tjera, duke iu referuar disa deklaratave të bëra nga shtetet anëtare të BE-së.
“Në frontin e emigracionit, siç e dini, në javët në vijim do të jenë plotësisht funksionale edhe qendrat e parashikuara në memorandumin e mirëkuptimit me Shqipërinë për të përpunuar kërkesat për azil në territorin shqiptar, por nën juridiksionin italian dhe europian. Muajt e fundit, siç e dinë mirë ministrat Piantedosi dhe Crosetto, kemi hasur në vështirësi të ndryshme operacionale, por po i kapërcejmë një nga një sepse besojmë shumë në këtë projekt novator. Dhe efektiviteti i tij i mundshëm tregohet nga mobilizimi jo vetëm i së majtës evropiane, por i OJQ-ve ndërkombëtare, të cilat, siç do ta keni lexuar, po mobilizohen kundër Protokollit. Përveç se në të njëjtën kohë, shumica e vendeve anëtare të BE-së i kanë kërkuar Komisionit ta përdorë atë si model si një zgjidhje inovative. Jemi të vetëdijshëm se të gjithë sytë janë drejt nesh dhe për këtë arsye ne synojmë të bëjmë gjithçka në mënyrën e duhur”- tha kryeministrja Giorgia Meloni, raportojnë mediat italiane.
Qendrat ishin parashikuar të hapeshin me 1 shtator, por një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë, ndërsa ende nuk ka një datë tjetër fikse. Ndërkohë për punonjësit e qendrës është publikuar një rregullore e brendshme me 14 urdhëresa në total, për sjelljen apo raportin që duhet të kenë me popullin shqiptar gjatë qëndrimit të tyre apo ndërveprimit për shkak të punës.
Italia dhe Shqipëria arritën paktin pesëvjeçar. Sipas marrëveshjes, Shqipëria do të strehojë emigrantë që do të shpëtohen në det, teksa Italia me procedurë të përshpejtuar do të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil. Dy qendrat ku do të vendosen emigrantët është dashur të funksionalizohen këtë javë, por për shkak të vonesave në ndërtim, hapja e tyre është shtyrë. Dy qendrat, që do të financohen dhe menaxhohen nga Italia, mund të akomodojnë deri në 3.000 migrantë që do të vijnë nga Italia përmes detit./ZËRI
Burimi