Shpërthimi në Zubin Potok, Meta: Dënoj sulmet terroriste në Kosovë

Shpërthimi në Zubin Potok, Meta: Dënoj sulmet terroriste në Kosovë

Ilir Meta

TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga burgu, ku është shprehur se dënon shpërthimin në Zubin Potok. Meta shkruan se ky sulm është orkestruar nga Serbia dhe ka si synim të dëmtoje strukturën në Veri të Kosovës. Meta shkruan se shkaku i këtij sulmi është mungesa e vullnetit të Srbisë për të respektuar dialogun. Më tej, Meta shkruan se Partia e Lirisë mbështet qeverinë e Kosovës, ku dhe iu bën thirrje ndërkombëtarëve të dënojnë këto sulme.
“Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmet e fundit terroriste në stacionin policor në Zveçan, në Komunën e Zveçanit dhe shpërthimin e detonuar ndaj kanalit kryesor të Ibër Lepencit, prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe Korporata Energjitike e Kosovës.
Ky sulm kriminal dhe terrorist, që ka synuar të dëmtojë infrastrukturën kritike dhe ndër më të rëndësishmet të Kosovës, vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia, që ende nuk i ka dënuar këto akte kriminale.
Fajin dhe përgjegjësinë për këto sulme terroriste nuk e ka formati ekzistues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por mungesa e plotë e vullnetit të Beogradit zyrtar për respektimin e marrëveshjeve me Prishtinën zyrtare, si edhe marrja zyrtarisht në mbrojtje nga Serbia të strukturave kriminale, me në krye Millan Radojçiçin, që mbështeten nga institucionet serbe, që kanë glorifikuar edhe sulmin terrorist në Banjskë, si edhe nga ata shqipfolës, që i mbajnë ison Serbisë, që mbështesin dhe implementojnë nisma proserbe si “Ballkani i Hapur” apo që fajësojnë dhe penalizojnë qëndrimet parimore dhe patriotike të Qeverisë së Kosovës, siç ka vepruar dhe vepron çdo ditë Edi Rama.
Partia e Lirisë, në mbështetje të palëkundur të popullit dhe institucioneve, të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës u bën thirrje të gjithë vende partnere ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, të dënojnë me forcën më të madhe këto sulme terroriste, si dhe t’i ushtrojnë presionin e duhur Beogradit zyrtar për të hequr dorë nga këto akte kriminale që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë”, shkruan Meta.
Gjatë natës u hodh në erë kanali i ujit të pijshëm në Zubin Potok, ku si pasojë në qytetin e Mitrovicës është ndërprerë uji i pijshëm dhe energjia elektrike. SHBA dhe BE e dënoi këtë sulm, duke thënë se përgjegjësit do të marrin dënimin e merituar. Pavarësisht akuzave nga qeveria e Kosovës, ajo serbe tha se nuk ka lidhje me këtë sulm, madje shtoi se është gati të paguajë financiarisht dëmet, pasi kjo cënon jetën e serbëve në Veri, Po ashtu edhe krerët politikë të Shqipërisë reaguan pas këtij sulmi duke e dënuar ashpër dhe bënë thirrje që të hetohet rasti. /ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente