Shoqërohet në Polici Safet Bajri, avokati: Nuk ka lidhje me atentatin ndaj ‘Audi-t’, u bë thjesht një verifikim
Safet Bajri
LEZHË- Shoqërohet Safet Bajri! ZËRI ka mësuar se një nga personat më të njohur të botës së krimit në Shkodër është ndaluar fillimisht në Lezhë teksa qarkullonte me mjetin e tij të blinduar tip “S-Class”. Të njëjtat burime për ZËRI-n bëjnë me dije se anëtari i fisit Bajri fillimisht është ndaluar nga Policia e Lezhës dhe më pas është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Pasi është marrë në pyetje, mësohet se Bajri është lënë i lirë.
Avokati Sokol Tahiraj, mbrojtesi ligjor i Safet Bajrit ka reaguar në “ABCNews” lidhur me lajmin duke u shprehur se klienti i tij ishte shoqëruar vetëm për një verifikim dhe më pas ishte lënë i lirë. Në reagimin e tij, avokati e mohon se klienti i tij është marrë në pyetje si person në dijeni lidhur me atentatin e ndodhur më 23 gusht të këtij viti në Bushat të Shkodrës, ku u qëllua disa herë me armë zjarri ndaj një “Audi” të blinduar.
“Dua të theksoj se nuk ka lidhje as me atentatin as me shënjestrën e atentatit dhe me asnjë person të përfshirë në këtë atentat. E përgënjestroj lajmin,”-u shpreh avokati.
Çfarë ndodhi me “Audin” e blinduar me 23 gusht?
Sipas burimeve të policisë kriminale në Shkodër, automjeti tip “Audi” me targa gjermane, i cili është gjetur i braktisur në vendin e ngjarjes, ka të dhëna se është përdorur për një kohë nga Eljo Hato, person ky i shpallur në kërkim nga SPAK-u, lidhur me ngjarjen e plagosjes së Taulant Pepaj në muajin shkurt 2021 në Shkodër. Por ky version ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia e Shkodrës.
Për ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim vëllezërit Andrea e Aleksandër Prendi. Mësohet se i përfshirë në ngjarje ka qenë dhe një kushëri i vëllezërve, i cili po ashtu është shpallur në kërkim. Mendohet se njëri prej tyre ka qëlluar nga një motorr me automatik kallashnikov në drejtim të mjetit të blinduar tip audi, ndërsa të tjerët kanë qenë në një mjet tip BMë, që aktualisht është sekuestruar nga Policia. Autoritet kanë dyshime konkrete se mes palëve ka pasur edhe shkëmbim zjarri. Deri tani nuk raportohet se ka pasur të plagosur, megjithatë nuk përjashtohet që ndonjë prej personave të lartpërmendur të ketë rënë pre e plumbave./ ZËRI
Burimi