Shkarkimi i Ornela Rrumbullakut, si prokurorja nxori të pafajshëm Gent Sejkon nga skema e mashtrimit me kreditë
Ornela Rrumbullaku dhe Gent Sejko
TIRANË- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK një ditë më parë (4 shtator), shkarkoi nga detyra prokuroren e Tiranës, Ornela Rrumbullaku. Vendimi u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Xhensila Pinen. Por Rrumbullaku, para shkarkimit mbylli një nga çështjet më të komentuara. Prokurorja nxori të pafajshëm Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pasi e hetoi për dy vjet për “Shpërdorim detyre” në lidhje me skandalin e mashtrimit të zyrave të dhënies dhe marrjes së borxheve.
Guvernatori u kallëzua në vitin 2022 në Prokurorinë e Tiranës për “shpërdorim detyre” nga Dhoma e Përmbaruesve Privatë, si autor i krijimit të skemave të mashtrimit me mikrokredi. Kallëzimi, është hetuar për dy vjet nga kjo prokurori dhe në fund është kërkuar të pushohet në janar të këtij viti nga prokurorja Ornela Rrumbullaku. Përmbaruesit kundërshtuan kërkesën për pushim të prokurores Rrumbullaku duke renditur një numër pretendimesh për veprime që duheshin kryer nga ana e prokurorisë. GJKKO urdhëroi SPAK të rifillojë nga e para hetimin për Sejkon dhe bashkëpunëtorët e tij në Bankën e Shqipërisë.
Prapaskena shkruan se Rrumbullaku e mbylli hetimin e Guvernatorit bashkë me oficeren e saj Eriona Daupaj, e cila është në kërkim ndërkombëtar nga SPAK pasi ka dalë në përgjimet e SKY ECC si sekserja e dosjeve të prokurorëve me bandat kriminale. Edhe pse çështja është rikthyer nga shkarkimi i prokurores Ornela Rrumbullaku dhe arratisja e Daupajt, kuptohet se “pafajësia” e Guvernatorit paska qenë në “duar” të sigurta.
Burimi