Sherri në Palasë, kush janë dy personat e shpallur në kërkim, një prej tyre kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2021
SHERRI NE PALASE
TIRANË- Janë zbuluar identitetet e dy personave të shpallur në kërkim nga Policia, pas sherrit të ndodhur në një lokal në zonën e Palasës, ku mbeti i dhunuar rëndë një 42-vjeçar.
Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se personat e shpallur në kërkim janë Xhoni Spaho, 28-vjeç, banues në Tiranë si dhe Genti Baleci, 49-vjeç, banues në Durrës.
Spaho rezulton që të ketë kandiduar për deputet në zgjedhjet e vitit 2021, nga radhët e Partisë ‘Aleanca për Demokracinë e Re’, që drejtohet nga Edmond Stojku.
Edhe pse në moshë fare të re, 25 vjec asokohe, Spaho kandidonte për deputet në qarkun e Tiranës, duke mbushur vendet bosh në listën shumëemërore të ADR.
Sot 28-vjeç, Spaho me origjinë nga qyteti i Korçës është në kërkim nga Policia për sherrin masiv që përfshiu disa persona.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e djeshme për shpalljen në kërkim të shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se më datë 26.08.2024, në fshatin Palasë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin L. K., 42 vjeç, ju bëjmë me dije se:
Në vijim të hetimeve të kryera nga grupi hetimor dhe këqyrja e pamjeve filmike, një pjesë e pamjeve janë bërë publike në rrjete sociale dhe në disa media, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një tjetër shtetas që dyshohet se është përfshirë në këtë konflikt, shtetasi G. B., 49 vjeç, banues në Durrës.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S. dhe G. B.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt. Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme. /ZËRI
Burimi