“Sakrifikimi” i Rrumbullakut për një ligj të ri! 2 vite plot përplasje dhe hija e të shkuarës që ndoqi kryepolicin
Muhamet Rrumbullaku
TIRANË- Muhamet Rrumbullaku largohet nga posti si drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Pas 2 vitesh në detyrë shërbimet e Rrumbullakut si kryepolic tashmë nuk duhen më dhe shumë shpejt pritet që të zgjidhet pasardhësi i tij. Por edhe Rrumbullaku, ashtu si të gjithë paraardhësit e tij nuk e kapi dot finalen, as ai nuk arriti që të qëndronte në detyrë për 5 vjet, ashtu siç ia parashikon ligji! Edhe ai, si shumë të tjerë para tij, ka qenë në qendër të kritikave, sidomos për ngjarjen e fundit, atë të vrasjes së Egli Progës në Pogradec.
Herën e fundit që Rrumbullaku doli për mediat ishte pikërisht për këtë çështje, ku me një gjuhë (të pazakontë nga ana e tij) akuzoi mediat për dezinformim të ngjarjes duke pretenduar se Policia e Shtetit nuk kishte fshehur asnjë informacion dhe se e gjitha ishte transparente. Por përplasja që pasoi më pas mes Prokurorisë&Gjykatës me Policinë e Shtetit tregoi se në fakt mediat edhe në këtë rast kishin të drejtë. Madje më shumë se kaq! Kishin drejtuar të gjithë prozhektorët në Pogradec duke detyruar zbardhjen e të gjithë ngjarjes së rëndë që i kushtoi jetën babait të dy fëmijëve.
Për gjuhën e Rrumbullakut reagoi edhe rrjeti “SafeJournalists”, të cilët shprehën shqetësimin për deklaratat e Rrumbullakut, madje u detyruan që t’i bënin thirrje Policisë së Shtetit që të tërhiqte kërcënimet ndaj gazetarëve që raportonin vetëm për interesin publik.
Por një kërkesë-falje për mediat nuk erdhi kurrë!
Madje për ironi, edhe vetë Rrumbullaku e mori vesh në media shkarkimin e tij nga detyra që u pasqyrua sot si “dorëzim stafete”. Zërat për shkarkimin e tij nisën që dje. Fillimisht në një media, më pas në televizion kombëtar dhe më pas kudo në rrjet! Të gjithë flisnin për “burime” që i kishin konfirmuar se Rrumbullakut i ishte kërkuar dorëheqja nga posti për të vënë në zbatim ligjin e ri të Policisë së Shtetit. Të paktën, kjo është arsyeja e bërë publike deri më tani.
Megjithatë përplasja me mediat, nuk është e vetmja e Rrumbullakut gjatë karrierës së tij 2-vjeçare. Më e bujshmja ishte përplasja me kreun e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani. Sërish në një deklaratë për mediat lidhur me një operacion kundër trafikut të qënieve njerëzore, që është kryer me urdhër të SPAK, shërbeu si një urë komunikimi që Rrumbullaku t’iu përgjigjet akuzave të Altin Dumanit. Ky i fundit kishte deklaruar pak ditë më parë se kishte ka punonjës dhe zyrtarë policie të lidhur me krimin. Deri këtu nuk ka asgjë të re, pasi gjatë aksioneve të SPAK ka pasur të arrestuar edhe nga radhët e uniformave blu për shkak të lidhjeve të tyre me personazhe që në fakt duhet t’u vendosin prangat. Me këtë deduksion, Dumani tha se disa operacione nuk mund t’i mbështesnin tërësisht tek Policia e Shtetit, për shkak të frikës nga dekonspirimi. Por sipas Rrumbullakut, mes SPAK dhe Policisë ka marrëdhënie besimi, dhe është Prokuroria e Posaçme ajo që ka në dorë hetimet.
“Kemi marrëdhënie besimi, do arrestojmë edhe policët e implikuar,”-premtoi Rrumbullaku në atë deklaratë për shtyp.
Gjatë kohës që ka mbajtur detyrën, Rrumbullaku pati edhe përballje me ligjin. Vitin e shkuar, në tetor u paraqit edhe vetë në SPAK. ZËRI mësoi se ishte thirurr për t’u marrë në pyetje lidhur me ish-drejtorin e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Ardi Veliun. Por që nga tetori i shkuar deri më sot kur po bëhet gati 1 vit nga marrja e tij në pyetje, lidhur me këtë çështje nuk ka pasur asnjë zhvillim. Këtë vit, Rrumbullaku dëshmoi edhe në mbledhjet e Komisionit Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS. Nga opozita, ai akuzohej si një nga personat që nuk ka vepruar duke lënë në detyrë Ervin Muçën që aktualisht po hetohet zyrtarisht për rrjedhjen e të dhënave. Por përgjatë viteve, Rrumbullaku ka qenë i akuzuar edhe nga maxhoranca aktuale. Vite më parë në media qarkulloi një foto e drejtorit aktual të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakut, Tonin Vocajt, Agron Kuliçit, Nikolin Balës dhe biznesmenit Arben Frroku i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit, Dritan Lamaj.
Asokohe opozitë, mazhoranca e sotme, i vendosi këtij grupimi emrin “Grupi çiftelia”.
I vendosur nga mediat përballë këtij fakti, Rama e mbrojti deri në fund vendimin e tij duke e cilësuar Rrumbullakun si një nga oficerët me eksperiencën më të gjatë dhe më karrierën më profesionale në Policinë e Shtetit.
“Kështu që ato çiftelitë dhe ato daullet e risjella 10 vjet më mbrapa në skenë për arsye që unë i di, por që nuk ka rëndësi fare t’i harxhojmë kohë publikut këtu pse dhe nga kush dhe si, nuk kanë asnjë vlerë. Muhamet Rrumbullaku është një vlerë morale, me një integritet të padiskutueshëm deri tani nga askush, të paktën deri tani sa i përket aspektit të ndershmërisë profesionale,” – deklaroi Rama.
Sa i përket arritjeve gjatë kohës që ai ishte kryepolic, për Rrumullakun nuk ka asgjë për t’u veçuar përveç faktit që ka bërë detyrën. Të vetmen detyrë që i dha i pari i qeverisë, Edi Rama nuk e finalizoi dot me sukses. Përkundrazi! Rama, në ditën e prezantimit të tij në krye të detyrës së re i la 100 ditë kohë për të zbardhur të vërtetën e zhdukjes së bosit të lojrave të fatit, Ervis Martinaj. E që nga ajo ditë kanë kaluar shumë “100 ditësha” që provonin herë pas herë dështimin e Rrumbullakut në zbardhjen e ngjarjes. Kjo çështje e ka detyruar që disa herë të largohej pa dhënë përgjigje edhe nga konferencat që jepte para mediave.
Kështu, pa shumë lavdi u mbyllën 3 dekada të Rrumbullakut në radhët e uniformave blu, ndërsa e ardhmja e tij është e paqartë. Se a do t’i besohet një post i ri, kjo do të mbetet për t’u parë. Deri më tani, zakoni e ka diktuar që të (thuajse) gjithë ata që lënë vendin e të parit të Policisë të kalojnë të AMP-ja, po se a do të ndiqet e njëjta rrugë edhe me Rrumbullakun, kjo mbetet për t’u parë./ZËRI
Burimi