Rriten rastet me “Ethet e Nilit”, 58 të infektuar në vend

Rriten rastet me “Ethet e Nilit”, 58 të infektuar në vend

FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Numri i personave të infektuar me ‘Ethet e Nilit Perëndimor’ të konfirmuar në laboratorin e ISHP në vendin tonë, ka mbërritur në 58. Instituti i Shëndetit publik, ka kërkuar nga Bashkitë, që në vendet ku janë evidentuar vatra të mushkonjave që përhapin sëmundjen, të kryeht dezinsektimi i mushkonjave me qëllim frenimin e përhapjes së kësaj sëmundje.
Në Shqipëri, fillimisht sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik, u raportua se në 5 Gusht u shënuan 3 raste me humbje jete dhe 17 të infektuar. Përpos të dhënave sipas mjekut epidemiolog Ilir Alimehmeti, në vend mund të jenë të infektuar rreth 3 mijë persona. Sa i përket simptomave, shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino njofton se 80% e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma, ndërsa 20% përjetojnë ethe dhe dhimbje. Virusi i Nilit Perëndimor nuk përhapet nëpërmjet prekjes, por përmes pickimit të mushkonjave, ndaj duket treguar kujdes në shmangien e këtyre insekteve, të paktën edhe për këtë muaj.

Çfarë duhet të dimë për virusin e Nilit Perëndimor?
Infeksioni te njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara, të cilat infektohen kur ushqehen me zogj të infektuar. Virusi qëndron në natyrë nëpërmjet një cikli transmetimi mushkonja-zogj-mushkonja. Zogjtë janë rezervuarët bartës të virusit. Kuajt, njësoj si njerëzit, janë bartës që pavarësisht se ata infektohen, nuk e përhapin direkt infeksionin. Deri më sot, nuk ka ndodhur asnjë transmetim i virusit nga njeriu tek njeriu përmes kontaktit rastësor apo nëpërmjet mushkonjave, dhe nuk është raportuar asnjë transmetim i virusit të Nilit Perëndimor te punonjësit e kujdesit shëndetësor kur janë zbatuar masa parandaluese standarde të kontrollit të infeksionit./ZËRI
Burimi