Rriten ndjeshëm shpenzimet për shërbimet celulare në vitin 2023

Rriten ndjeshëm shpenzimet për shërbimet celulare në vitin 2023

Foto ilustruese

TIRANË- Çdo përdorues shpenzoi vitin e kaluar mesatarisht më shumë se 7900 lekë për shërbime të komunikimeve celulare. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), vitin e kaluar shpenzimi mesatar i shqiptarëve për këto shërbime u rrit me rreth 16% krahasuar me një vit më parë.
Kjo vlerë mbështetet në treguesin e të ardhurave mesatare për përdorues të operatorëve celulare (ARPU) dhe llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me numrin total të përdoruesve aktivë.
Shpenzimi mesatar i shqiptarëve për shërbimet celulare u rrit për të tretin vit radhazi.
Gjithashtu, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për çdo minutë thirrje celulare vitin e kaluar u rrit në 4.78 lekë për minutë, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë.
Kjo vlerë bazohet në treguesin e të ardhurave mesatare për minutë (ARPM), që llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me sasinë e minutave dalëse dhe tregon të ardhurat e sipërmarrësit për një minutë.
Ulja e numrit të operatorëve celularë në vend ka filluar qysh të ndikojë në shtrenjtimin e paketave të komunikimit. Operatorët celularë kanë rritur çmimet për paketat bazë të komunikimit me parapagesë me 100-200 lekë në dy vitet e fundit, por ndërkohë kanë ulur edhe njësitë e përfshira të komunikimit në to, si një formë për të nxitur përdoruesit të lëvizin drejt paketave me çmim më të lartë.
Sipas informacionit të raportuar në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), dy operatorët celularë fituan gjithsej 619 milionë lekë vitin e kaluar, ndërsa viti 2022 ishte mbyllur me humbje neto në vlerën e 499 milionë lekëve.
Vodafone Albania arriti një fitim neto në vlerën e 549 milionë lekëve, ndërkohë që vitin 2022 e pati mbyllur me një humbje neto prej 30 milionë lekësh.
Një fitim më të vogël ka raportuar operatori i dytë, One Albania, por që gjithashtu e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me një vit më parë. Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2023 me një fitim neto në vlerën e 70 milionë lekëve, ndërkohë që për vitin 2022 kishte raportuar një humbje prej 469 milionë lekësh.
Dy operatorët e rrjeteve celulare vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 25.43 miliardë lekë, shifër kjo afërsisht e njëjtë me vitin 2022.
Në ndarjen e tregut sipas xhiros së gjeneruar nga segmenti celular, Vodafone Albania ka thelluar dominimin e vet, me rreth 56% të totalit të tregut.
Në vitin e parë pas shkrirjes mes dy ish-operatorëve ONE Telecommunications dhe ALBtelecom, operatori i ri, One Albania, ka humbur terren, duke zbritur në 44% të tregut sipas xhiros, nga 48% që kishte qenë pjesa e përbashkët e dy operatorëve përpara bashkimit, në 2022./Monitor 
Burimi