ROLET- Kush është ‘Pole qorri’, vlonjati që dyshohet se ekzekutoi Bejtjan, ndryshon akuza për Beqarajn

ROLET- Kush është ‘Pole qorri’, vlonjati që dyshohet se ekzekutoi Bejtjan, ndryshon akuza për Beqarajn

Ilir Beqaraj, Gentjan Bejtja dhe Edison Haxhiu

TIRANË- Florian Plaku, alias Florian Serjani, alias Florian Mamo, 41-vjeç, nga qyteti i Vlorës, është deri tani i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Genjtjan Bejtjas, në fshatin Larushk të Fushë Krujës. 41-vjeçari me 3 emra, njihej në qytetin e Vlorës dhe me pseudonimin ‘Pole Qorri’, ndërsa është shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzën e vrasjes.
Plaku ka precedentë penalë dhe është pjesë e grupeve të Vlorës. Për ngjarjen janë arrestuar më herët dhe shtetasit Edison Haxhiu dhe Ilir Beqaraj. Për këtë të fundit, është bërë edhe ndryshimi i akuzës, nga “falsifikimi i dokumenteve” në “vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim. Dyshohet se urdhri për vrasjen e Bejtjas është dhënë nga Dubai, i cili prej kohësh është kthyer në një strehë për elementët e krimit të kërkuar në Shqipëri. 
Si u realizua vrasja?
Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes, po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.
Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Volksëagen Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur itinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.
Nga analiza e informacioneve të marra nga inteligjenca policore si dhe këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Volkswagen Golf” me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu, 30 vjeç, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë. Po kështu, ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.
Më datë 19.03.2024, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë me targë AB960GG në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu dhe shoqërimin në ambientet e Policisë. Gjithashtu, në vazhdim të veprimeve hetimore, po në këtë datë u bë i mundur shoqërimi në ambientet e Policisë i shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari.
Ndryshon akuza për Ilir Beqarajn
“Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari  janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin “Walther”  me tetë fishekë, një armë zjarri e markës “Benelli”, e cila mbahej me lejen e organeve të Policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe 3 aparate celulare.
Më datë 19.03.2024, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari, 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe e municionit”, dhe “Falsifikimi i dokumenteve” parashikuar nga nenet 278/2 dhe 186 të Kodit Penal, si dhe ndalimi i shtetasit Edion Haxhiu, 30 vjeç, për veprën penale “Sigurimi i kushte dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal.
Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumenteve, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave të tjerë si autorë të kësaj ngjarje.
Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1885 datë 26.07.2024 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit F. P., alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 78, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Shërbimet e DVP Tiranë, të mbështetura në fazën operacionale nga shërbimet e DVP Vlorë, kanë ushtruar kontrolle për lokalizimin e shtetasit F. P., alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, dhe vijon puna për kapjen e këtij shtetasi i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është ushtruar kontroll në ambientet e një agjencie udhëtimesh në qytetin e Lezhës, ku janë administruar pajisje elektronike dhe dokumente me vlerë për hetimin.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vlerësim të provave dhe fakteve të administruara, ka bërë rikualifikimin e veprës penale në ngarkim të shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe përveç veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 186 dhe 278/1  të Kodit Penal, këtij shtetasi i është shtuar vepra penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 e 22 të Kodit Penal.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e autorëve të tjerë dhe për rezultatet e tyre do t’ju informojmë në vazhdimësi”, njofton Policia. 
Gentjan Bejtja u ekzekutua pasditen e 15 marsit brenda oborrit të banesës së Larushk. Autorët dyshohen të kenë qenë katër, tre kanë marrë pjesë në sulm ndërsa tjetri i ka pritur në makinë. Mbi Bejtjan janë qëlluar 50 plumba, 30 prej të cilëve kanë rezultuar fatal dhe e kanë prekur në fytyrë e trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. 
Bejtja dyshohet se kishte dijeni edhe për shumë krime të tjera që kishin ndodhur në harkun kohor të 10 viteve të fundit, ku në mos ishte drejtpërdrejt i implikuar, të paktën kishte dijeni apo besohej se kishte tradhtuar, ata që deri dje u shërbente. Ai është dyshuar si i përfshirë në disa atentate, si personi që ka nxjerrë në pritë viktimat, informator apo ndihmës i ekzekutorëve.
42-vjeçari Bejtja u kishte shpëtuar deri më tani 3 atentateve. Më datë 4 Korrik të vitit 2023, atij iu bë një atentat jashtë ambienteve të banesës, ku mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan Sino, 29 vjeç dhe u plagosën Bejtja si dhe dy djemtë e këtij të fundit, 10 dhe 13 vjeç. Për ngjarjen, policia dyshoi tek Valter Bami, megjithatë ndaj këtij të fundit u ngrit vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje. Bami  qëndroi në qeli nën masën e arrestit me burg për 6 muaj. Më 18 Janar 2024, u la i lirë me arrest shtëpie nga Gjykata e Tiranës, për shkak të skadimit të afateve hetimore.
Më 9 Janar të vitit 2022, Gentian Bejtja i shpëtoi një tjetër atentati në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, ndërsa mbeti i plagosur miku i tij 31-vjeçar Klodian Stafuka. Të dy ishin në një automjet kur u qëlluan me armë zjarri. Ngjarja mbetet e pazbardhur. Gentian Bejtja i shpëtoi po ashtu dhe një atentati me eksploziv të ndodhur në Shtator të vitit 2016, kur në mjetit e tij një sasi eksplozivi shpërtheu dhe e plagosi atë./ZËRI 
Burimi