Rikthimi i ligjit në Kuvend, studentët e mjekësisë ‘paqe’ me socialistët. PD: Në komision i mbështesni, pastaj jepni votën siç do partia

Rikthimi i ligjit në Kuvend, studentët e mjekësisë ‘paqe’ me socialistët. PD: Në komision i mbështesni, pastaj jepni votën siç do partia

studentet e pranishem ne komision

TIRANË- Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që detyron Kuvendin që të rishikojë ligjin për studentët e mjekësisë, ka rikthyer debatet në komisionet parlamentare, edhe pse dukshëm me tone më të zbutura. Në Komisionin e Edukimit, ku ishin të pranishëm dhe një përfaqësi e studentëve, pavarësisht retorikës politike, të gjithë deputetër ranë dakord, që ligji duhet të rishikohet.
E para që foli në Komision ishte ish-ministrja e arsimit, Evis Kushi e cila i parapriu diskutimit me fjalinë “nuk dua të bëj debat me ju”, duke lënë të kuptohet njëfarë tërheqje në deklaratën e saj.
“Nuk dua debat me ju. Dua tu dëgjoj dhe do ju dëgjoj me kënaqësi që në fund të kemi dakordësi”, tha Kushi.
Studentët e pranishëm në Komision, kërkuan që ndryshimet të përfshijnë gjithë sistemin e shëndetësisë, pasi problematikat nuk qëndrojnë vetëm te ata.
 “Ky ligj është mënyra më e shpejtë që ju të mbani këtu studentët. Duhet të bëhen investime së pari. Nuk keni parë shkakun pse ikin mjekët”, thanë studentët.
Gjithashtu ata theksuan se do të dëshironin që periudha e stazhit të përgjysmohet në 3 muaj si dhe të paguhen të gjitha kuotat e specializimeve. Me këto dy kërkesa ishin dakord edhe anëtarët në radhët e Partisë Socialiste.
Ishte deputeti Florenc Spaho i cili tha se bie dakord me kërkesat e studentëve, ndërsa shtoi se, parë në syrin e studentëve “ndoshta këtë do bënim edhe ne”, referuar reagimeve të studentëve.
Edhe deputetja Lindita Buxheli ra dakord që studentët specializantë të paguhen si edhe që periudha e stazhit të ulet nga 6 muaj në 3 muaj.
“Jam dakord që të vazhdojmë me ndryshimet. Do gjejmë një të mirë të përbashkët”.
Dakord ishte edhe Dasantila Tahiraj e cila argumentoi se nisur nga interesi i lartë për shërbim, studentët duhet të kuptojnë se ka mungesa dhe nevoja për to, por ra dakord me kërkesat e studentëve.
Dakordësia e deputetëve të PS ka acaruar kryetaren e komisionit Ina Zhupa e cila tha se anëtarët mbështesin studentët në kërkesat e tyre por në fund votojnë siç ua kërkon partia.
“Jeni po ju që në fund votoni siç e do partia ndërkohë që këtu i mbështesni dhe u jepni të drejtë studentëve. Shpresoj që të reflektoni dhe të dëgjoni ndërgjegjen tuaj kur të votoni këtë herë”, tha Zhupa.

Ligji për studentët e mjekësisë kaloi në Kuvend më 21 korrik 2023. Çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, pas qëndresës së vazhdueshme që bënë studentët e Mjekësisë. Gjykata u ka dhënë përkohësisht të drejtë studentëve, të cilët bojkotuan rreth një muaj vitin e ri akademik 2023-2024./ZËRI
Burimi