Raporti i UNESCO-s për Butrintin, reagon Ministria: Objektiv, detyrat do realizohen brenda 2025

Raporti i UNESCO-s për Butrintin, reagon Ministria: Objektiv, detyrat do realizohen brenda 2025

Butrinti

TIRANË-Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar për herë rë parë zyrtarisht pas raportit të UNESCO-s për Butrintin. Në projektvendim lihen edhe një sërë detyrash që MEKI do të duhet të realizojë brenda fillimit të vitit 2025. Në reagim thuhet se sa i takon shqetësimit të UNESCO-s për menaxhimin e parkut si një i tërë, pa e ndarë atë në zona, ministria premton se do të ngrejë një strukturë bashkë me Ministrinë e Turizmit për administrimin dhe thjeshtëzimin e sistemeve mbrojtëse të nënzonave.
REAGIMI:
Qëndrim publik i Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për Projekt-Vendimin e fundit të Qendrës së Trashëgimisë Botërore (UNESCO) për Butrintin
Ata që prej shumë kohësh kanë përhapur në shqip dhe anglisht disa të pavërteta, ndonjë të vërtetë të nxjerrë jashtë konteksti dhe shumë gjysmë të vërteta, duke shpresuar kthimin e Butrintit në të kaluarën e vet të errët të Listës së Pasurive Botërore në rrezik, kanë plotësisht të drejtë të ndihen të zhgënjyer pas publikimit të projekt-Vendimit të QTB në fillim të javës së shkuar. Dokumenti që do t’i përcillet Komitetit të Trashëgimisë Botërore për t’u kthyer në vendim zyrtar, bazohet në analizën e detajuar të UNESCO-s për punën e MEKI-t dhe partnerëve të saj në studimin, konservimin, administrimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Butrintit, si dhe plotësimin e rekomandimeve të ICOMOS-it. MEKI si përfaqësues i shtetit shqiptar në Konventën e Trashëgimisë Botërore e gjen projekt-vendimin dhe raportin analitik të tij si shumë objektiv dhe tërësisht korrekt.
Vëmë re me kënaqësi se aty, jo vetëm që nuk evokohet e shkuara problematike e Butrintit, por përkundrazi, shihet nga e ardhmja duke vlerësuar bashkëpunimin e shtetit shqiptar me QTB për diskutimin e propozimeve zhvillimore në pasurinë botërore dhe peizazhin e saj të mbrojtur. Mirëpriten studimet shkencore dhe ato të ndikimit mbi pasurinë kulturore që i paraprijnë projekteve zhvillimore, progresi i bërë drejt formulimit të instrumentave të nevojshëm për konservimin dhe administrimin e Butrintit, progresi i bërë në përditësimin e planit të veprimit dhe mirëpërgatitjen e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit për zbatimin e tij. Gjithashtu, aty mbështeten përpjekjet e MEKI-t për krijimin e një strukture të përbashkët me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për administrimin e gjithë Parkut Kombëtar si një i tërë, si dhe punën e nisur për thjeshtëzimin e sistemeve mbrojtëse të nën-zonave përbërëse të tij.
Në projekt-vendim lihen edhe një sërë detyrash që MEKI do të duhet të realizojë brenda fillimit të vitit 2025. Ne ndajmë të njëjtin mendim me UNESCO-n për këto detyra dhe kemi filluar menjëherë nga puna për plotësimin e tyre, pasi i konsiderojmë si themelore për sigurimin e mbrojtjes, zhvillimit dhe përballimit të sfidave të ardhshme mjedisore, klimatike, shoqërore dhe ekonomike të Butrintit.
Gjithashtu, me qëllim shpeshtimin e komunikimit dhe forcimit të mëtejshëm të koordinimit me UNESCO, është formuar një ekip i posaçëm ekspertësh dhe specialistësh me përvojë nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Fokusi i këtij ekipi është procesi i vazhdueshëm i informimit reciprok, dialogimit dhe koordinimit cilësor me UNESCO-n dhe me palët e tjera të interesit, si dhe përkthimin e rezultateve nga ky proces në linja pune të bashkërenduar me ministritë e linjës, bashkitë, partnerët dhe komunitetin.
Së fundmi, është përcaktuar dhe një agjendë takimesh për thellimin e bashkëpunimit, duke filluar nga takimi i radhës në Paris, në 27 qershor 2024, mes përfaqësuesve të lartë të UNESCO-s dhe Ministrave të MEKI dhe MTM, së bashku me ekipet teknike përkatëse. Ky takim do t’i paraprijë sesionit nr. 46 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në Neë Delhi, Indi, që do të mbahet në datat 21-31 korrik 2024
Burimi