Rama tek ‘Anti-korrupsioni’: Ky komision, pikë referimi, do nxjerrë maksimumin e mendimit intelektual!

Rama tek ‘Anti-korrupsioni’: Ky komision, pikë referimi, do nxjerrë maksimumin e mendimit intelektual!

Kryeministri Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama mori sot pjesë në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Antikorrupsionit ku tha se ky komision është i rëndësishëm për çështjet e Bashkimit Evropian. Rama tha se ky komision do të jetë i përhershëm në Kuvend pasi nevojitet për të ecur para me negocitatat me BE-në. Rama vlerësoi se komisioni është një instrument që po ndihmon Shqipërinë që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Më tej kryeministri tha se komisioni do të raportojë progresin në Kuvend dhe ecurinë e negociatave. Sipas tij ky është një komision i pazëvendësueshëm për anëtarësimin në BE.
“Është dhe një proces i pashmangshëm teknik që nuk mund të përballohet me burimet e brendshme të qeverisë. Sepse ekspertët u angazhuan u bënë edhe target i gjithfarëlloj akuzave dhe insinuatave dhe goditjeve nëpër këto kanalet dhe rrjetet e ndryshme thashethemnajës publike që në këndvështrimin gabimisht quhet liri e fjalës. Thënë të gjitha këto dua të nënvizoj 3 gjëra: e para, lidhur me këtë proces. Ky komision është sot në kushtet që flasim një instrument i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për suksesin tonë për në BE. Nuk shkojmë si qeveri e Shqipërisë por si një front institucionesh. Që përfaqësojnë 3 pushtete, të cilat në marrëdhënie me njëri tjetrin që kanë hapësira ndërveprimi, por edhe kufij. Koordinimi i gjithë këtij fronti dhe ecja në mënyre uniforme sa i përket negociatës garantohet vetëm nëse Kuvendi bëhet një udhëkryq ku të gjitha forcat që ndërveprojnë në emër të shtetit pikëtakohen dhe të gjitha këto forca të japin llogari sepse mund t’ju kërkohet llogari. Nëse në ecurinë e negociatave përparon qeveria dhe jo një x institucion që nuk është në urdhrat e qeverisë atëherë kush është autoriteti dhe instrumenti që edhe ky institucion të vendoset para përgjegjësisë publike dhe patriotike për të dhënë llogari? Askush. Vetëm para Kuvendit mund të kërkohet llogari”, tha Rama.
Po ashtu, Rama shtoi se përfshirja e shoqërisë civile dhe mediave në këtë komision ka një rëndësi të madhe për transparencën.
“Përfshirja e kaq mase të shoqërisë, përmes botës akademike, shoqërisë civile, mediave është një garanci shumë e madhe për të synuar dhe të nxjerrim maksimumin e mendimit intelektual dhe cilësisë në problematikën që shfaqet. Shumëkush dhe gjithmonë, sa herë që ka një përpjekje të re. Ne nuk jemi kujtuar tani, jemi kujtuar, çdo hap të rrugës ka sfida të reja dhe çdo hap kërkon kohën e vet dhe forcën e vet”, shtoi ai.
Gjithashtu, Rama tha se përdorimi i Inteligjencës Artificiale ka një rëndësi të madhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Nëse nuk do kishim këtë bekim këtë proces do merrnin kohë. Pashë një produkt të fundit të IA për transferimin e ligjeve të Be në Shqipëri, gjë e jashtëzakonshme. Kroacia për të bërë procesin e kalimit të legjislacionit nga pikëpamja mekanike mori 7 vjet. Angazhoi numër të jashtëzakonshëm përkthyesish. Nga produkti i novacionit kemi transferimin e ligjeve nga anglishtja në shqip me nivel të jashtëzakonshëm. Do kemi dhe të dhëna krahasimore”, përfundoi Rama.
Komisioni Antikorrupsionit përbëhet me 11 anëtarë, 6 nga PS dhe 5 nga opozita. Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10-mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit. Komisioni i Posaçëm do të ketë si synim përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave te mirëqeverisjes ne te gjitha nivelet, thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e metejshem te zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit “Screening” të Komisionit Evropian për grup-kapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”. Për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendës dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes. /ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente