Rama: Komisioni Antikorrupsion do të vijojë me ose pa opozitën! Certifikohet nga BE dhe SHBA
Edi Rama
TIRANË-Rama tha se nuk ka kohë për të humbur dhe se puna për komisionin Antikorrupsion duhet që të vijojë me ose pa opozitën. Kryeministri theksoi se do të ketë edhe një certifikim nga BE dhe SHBA.
“Ndërsa e vetmja pjesë e pa angazhuar e këtij procesi akoma që është pjesa që është në opozitë, e vendos vetë. E vendos vetë. Në çdo moment që do duan të ulen në atë tavolinë dhe t’i sjellin aty të gjitha idetë që kanë për si luftohet korrupsioni, të gjitha idetë për si luftohet krimi i organizuar, të gjitha idetë që kanë për si luftohet për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë, më kompetitive, më europiane, t’i sjellin aty dhe pa asnjë paragjykim dhe pa asnjë diskutim çfarë është pozitive dhe çfarë është e dobishme dhe çfarë është e vlefshme do të qëndrojë aty sepse gjëja e mirë e kësaj pune është që kjo punë është një punë që kur të shkruhet në çdo kapitull të vetin, në çdo faqe të vetën do duhet të certifikohet nga partnerët tanë, nga Bashkimi Europian dhe patjetër dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu që nuk ka shans që nëse ka ide të mira, ne t’i lëmë jashtë vetë njëherë, por edhe nëse nuk ka besim tek ne janë edhe të tjerët që do t’i gjykojnë dhe patjetër që do t’i certifikojnë idetë e mira, por thelbi është që ne s’kemi shpikje të mëdha për të bërë, ne këtu i kemi gjërat pak a shumë gjërat e vendosura. Unë them se nuk kemi asnjë arsye që të humbasim fokusin, me ose pa ata ne këtë punë do ta bëjmë. Nuk mund të presim që të merremi vesh me ata që të vijë dhe të bëjnë detyrën e tyre. Të gjithë anëtarët tanë janë në punë, grupi i ekspertëve po ngrihet dhe puna do të vijojë. Nëse duan që të ulen në atë tavolinë dhe do të sjellin idetë se si luftohet krimi dhe korrupsioni dhe për ta bërë Shqipërinë më të sigurt ti sjellin dhe ca është e dobishme do të qëndrojë aty. Kjo punë në përfundim pasi të shkruhet do cerfitikohet nga BE dhe SHBA. Nëse ka ide të mira nuk ka shance që ne ti lëmë jashtë, janë edhe të tjerët që do ti gjykojnë”, tha ai.
Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion u ngrit një ditë më parë vetëm me 74 votat e mazhorancës, ndërkohë që opozita bojkotoi procesin e votimit. Komisioni i Posaçëm anti-korrupsion do të ketë 11 anëtarë, me një afat fillestar 10 mujor, ndërsa drejtues pritet të jetë socialisti Fatmir Xhafaj. Objekti i komisionit, sipas projekt-vendimit do të jetë skanimi dhe reformimi i luftës ndaj korrupsionit dhe sundimi i ligjit në funksion të integrimit evropian të vendit./ZËRI
Burimi