
Qeveria e Mitsotakis i mbijeton mocionit të mosbesimit në parlament
ATHINË- Rrëzohet mocioni i mosbesimit ndaj kryemi nistrit grek Kyriakos Mitsotakis! Qeveria e Mitsotakis i ka mbijetuar mocionit të mosbesimit që kanë paraqitur në parlamentin grek 4 parti opozitare në lidhje me tragjedinë hekurudhore më të madhe në historinë e vendit, atë të Tempit, ku 57 persona humbën jetën.
Pas 3 ditësh seancë parlamentare në një atmosferë tepër të zjarrtë politike dhe fjalimeve të më shumë se 120 deputetevë për 42 orë, 157 ligjëvënës të Demokracisë së Re nga 293 të pranishëm kanë votuar kundër mocionit të mosbesimit.
Abstenuan nga votimi pesë deputetët të partisë Spartiatët, një deputet i pavarur dhe ish-kryeministri Antonis Samaras i përjashtuar nga Demokracia e Re. Më herët në fjalimin e tij kryeministri grek, duke diskutuar për aksidentin ka deklaruar se “nëse ka pasur dështime nga ana e ligjvënësve, ata do të hetohen nga drejtësia. Askush nuk do të gjykohet nga gjykatat popullore dhe nuk do të zhvlerësohet asnjë rezultat i drejtësisë”.
“Deri në zgjedhjet e ardhshme, kjo qeveri do të ketë shumicën që i dhanë qytetarët në zgjedhjet e mëparshme, ju pëlqen apo nuk ju pëlqen juve”, u shpreh Mitsotakis.
Duke kritikuar ashpër opozitën për populizëm, Mitsotakis ka njoftuar se është gati të rishikojë ndryshimet e kushtetutës sa i përket nenit 86 për përgjegjësitë e ministrave në detyrë, si dhe të emërimit të anëtarëve të gjykëtës së lartë, duke kërkuar nga opozita mbështetje për të kryer reformën e vlerësimit të nënpunësve të administratës publike.
Para fjalimit të tij, tre studentë nga të ftuarit në sallën e parlamentit kanë hedhur fletushka me përmbajtje antiqeveritare në sallë.
Opozita greke ka fajësuar qeverinë dhe politikat e saj duke e akuzuar për paaftësi, për mbulimin e shkaqeve të aksidentit dhe duke e quajtur të rrezikshme për grekët. Gjatë gjithë orëve të pasdites e deri në momentin e votimit mijëra qytetarë kanë protestuar jashtë parlamentit duke kërkuar drejtësi për viktimat e aksidentit, ndërsa protestat kanë degraduar edhe në përleshje me forcat policore./ZËRI
Burimi