Pushime me kosto të ulët? Kalabria ‘leksion’ Shqipërisë, 2024 është viti i tyre, Il Messaggero: Det ëndrrash dhe shezlong 10€
Plazhet ne kalabri
ITALI- Nëse vitin e kaluar jugu i Shqipërisë ishte një prej vendndodhjeve më të promovuara në rrjetet sociale, kryesisht në Tiktok, këtë sezon veror duket se gjërat kanë ndryshuar. Italianët, të cilët vitin e kaluar ishin të shumtë në numër në Shqipëri, këtë vit, së bashku me shumë turistë të huaj, kanë kthyer sytë nga Kalabria, pjesa më jugore e shtetit fqinj, për të shijuar aty detin e kaltërt, çmimet e ulëta dhe qetësinë.
“Ujëra të kristaltë, çmime të ulëta dhe mbi të gjitha pa atë që ka marrë emrin “overturizëm” dhe që po mundon shumë vende të tjera të njohura. Nëse vitin e kaluar të gjithë u tërhoqën nga “fenomeni Shqipëria” si destinacionin perfekt veror me kosto të ulët, këtë vit italianët iu kthyen vendit të tyre duke rizbuluar… Kalabrinë”, është përshkrimi që i bën në nisje gazeta italiane “Il Messaggero”, promovimit të Kalabrisë. Ndërsa vijon duke krahasuar me Shqipërinë.
“Pushime me kosto të ulët: pas Shqipërisë, viti 2024 është viti i Kalabrisë. Pa turma njerëzish, det ëndrrash dhe shezlong për 10 euro”, ndërsa citohet se muaji Gusht ka qenë një nga më të suksesshmit për biznesin vendas. Kalabria në majën e çizmes nuk është një prej destinacioneve masive në Itali, por këtë verë bëri të kundërtën e asaj që bëri jugu i Shqipërisë, duke ruajtur një standard të ulët çmimesh, dhe një shërbim cilësor.
Observatori “Viaggi Astoi Confindustria” e vendosi Kalabrinë ndër destinacionet më të dëshiruara nga italianët së bashku me Pulian, Sardenjen dhe Siçilinë. Vitin e kaluar revista “Time” e renditi si një nga vendet më të “nënvlerësuara” për t’u vizituar të paktën një herë në jetë.
Kalabria ofron mbi 700 km vijë bregdetare midis detit Tirren dhe Jon me një det të pastër kristal, fshatra si kartolina dhe tre parqe kombëtare. Ka një përzierje mes detit, kulturës dhe natyrës që e bën atë shumë tërheqëse, së bashku me çmimet konkurruese.
Një shembull i çmimeve me kosto të ulët? Në bregdetin Tirren në Campora San Giovanni, një fshat i Amanteas, një çadër dhe dy shezlongë kushtojnë 10 euro për gjithë ditën, çdo ditë të javës, pa asnjë ndryshim gjatë gjithë muajit gushti. Po ashtu parkimi në këtë zonë kushton vetëm 2 euro. Pothuajse e njëjta situatë paraqitet edhe në plazhin e Coreca-s, ku çadra dhe shezlong kushtojnë 15 euro.
Çmime padyshim të ulëta në krahasim me mesataren italiane, për një det që nuk ka asgjë më pak se destinacionet e tjera, disafish më të shtrenjta. Teksa analizon një faturë, gazeta italiane raporton se një drekë në bregun e detit, me një pjatë Tagliatelle me karavidhe, një fetë ton, dy gota verë dhe pjatë anësore kushton rreth 50 euro për dy persona (25 euro secili).
Fatura e nje dreke
Po ashtu në shkrim thuhet se në shumicën e plazheve, ti mund të marrësh ushqim dhe gjithçka tjetër me vete, pa qenë i detyruar që të ulesh në restorantin pranë plazhit. Ndryshe është situata në bregdetin e Jonit, ku çmimet janë më të larta, duke arritur deri në 35 euro për një çadër dhe dy shezlongë.
Maria Cristina Gazzaruso, presidente e seksionit të turizmit të Unindustria Calabria thotë se “evropianët po rizbulojnë këtë rajon, edhe falë fushatave të ndryshme të cilat kanë rizgjuar markën “Calabria”.
Në shumë vende në Italinë jugore dhe në Mesdhe, fluksi masiv i turistëve ka përfunduar duke transformuar vendet: qendra historike të mbipopulluara ku është e pamundur të ecësh, dyqane suveniresh që janë të gjitha njësoj, radhë të gjata me orë të tëra për fotografinë e përsosur, ndërsa çmimet e dhomave dhe restoranteve janë tepër të larta. Me pak fjalë, në epokën e Instagramit dhe overturizmit, pushimet në destinacionin më në modë shpesh kthehen në një makth. Dhe për këtë arsye, gjithnjë e më shumë udhëtarë po kërkojnë vende më pak të njohura për të zbuluar.
“Sfida është krijimi i turizmit të qëndrueshëm, i cili krijon aktivitet ekonomik, por pa shkatërruar vendet dhe origjinalitetin e tyre”, përfundon Gazzaruso. Një model në të cilin fokusohet shumë në eksperiencën e udhëtarit: rrugët e ecjes, shtigjet e çiklizmit si shtegu i biçikletave në park, dyqanet e artizanëve dhe ekselenca e ushqimit dhe verës.
“Kalabria është një tokë për t’u zbuluar, e cila është befasuese pikërisht sepse prej vitesh ka qenë viktimë e një rrëfimi që ka nxjerrë në pah çështjet e saj kritike dhe jo bukuritë e saj”. Por gjërat po ndryshojnë, siç tregohet nga një studim i fundit i Unioncamere, i cili nënvizon se shumica e atyre që vizitojnë rajonin për herë të parë më pas kthehen. 2024 mund të jetë viti i kthesës. Presidentja është e bindur: “Kalabria ka gjithçka që duhet për t’u bërë një destinacion turistik i klasit të parë”. /ZËRI
Burimi