Pse mungojnë sipërmarrëset e reja te VIP-at

Pse mungojnë sipërmarrëset e reja te VIP-at

Foto ilustruese

Ndërsa vite më parë ishte e vështirë për një femër sipërmarrëse të niste një biznes që gjeneron miliona të ardhura, tashmë është thjesht e pamundur. 40% e kompanive në listën e sipërmarrëseve më të mëdha femra, që kanë të paktën një aksionere femër, janë krijuar para dy dekadash ose më shumë.
Mosha mesatare e 76 femrave që rezultojnë në pronësi të plotë ose të pjesshme në listën e 500 sipërmarrjeve private më të mëdha në vend sipas xhiros vjetore të vitit 2022 është 49 vjeç, sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”. 75% e aksionereve në listë janë të moshës mbi 40 vjeç. Grupmosha që dominon është 50-59 vjeç, që zë 30% të totalit të aksionereve femra.
Vetëm 9% janë më pak sesa 30 vjeç. Të gjitha sipërmarrëset nën 30 vjeç i kanë aksionet e trashëguara nga familja. Pse është kaq e vështirë për një femër të administrojë një biznes të madh në Shqipëri?
“Gratë në karrierë dhe biznes përballen me sfida të mëdha në nivel lokal dhe global: studime të shumta flasin për aksesin e ulët të gruas në financa krahasuar me meshkujt, mungesën e përkrahjes institucionale, diskriminimin gjinor, ndërsa në rrethe, sfidat e gruas janë edhe më komplekse”, thotë Antonela Hako”, – presidente e Dhoma Ekonomike e Gruas.
“Sfidat nuk janë armiku juaj – armiku juaj është dështimi për të marrë në kontroll mendësitë për adresimin e sfidave apo të mësuarin prej tyre.
Çdo sfidë mban farën e arritjes së radhës; çdo kufizim është një ftesë ose një hapje për të menduar në mënyrë krijuese për një zgjidhje të re dhe për të forcuar vullnetin tuaj për ta realizuar atë”, këshillon Albana Vrioni, drejtuese e “Woman on Board”.
Zonja Hako nga Dhoma Ekonomike e gruas sugjeron krijimin e politikave të veçanta për të mbështetur të rinjtë, duke përdorur skema për nxitjen e startup-eve, apo duke i subvencionuar ose duke përjashtuar nga taksat me qëllim kontributin e tyre në vend, shmangien e emigrimit dhe shtimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë.
Në veçanti ajo propozon krijimin e fondeve stimuluese për gratë fillestare në biznes, si dhe të ndahet buxhet nga kategoria e subvencioneve për stimulimin e grave sipërmarrëse.
“Shteti në bashkëpunim me donatorë dhe shoqata të huaja e vendase duhet të organizojë fushata për promovimin e grave sipërmarrëse”.
“Kur një grua arrin sukses si sipërmarrëse, ajo zhvillon familjen dhe komunitetin e saj, ndërkohë që ndihmon në diversifikimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të punës.
Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të mbështeten gratë në biznes, të promovohet barazia në vendin e punës dhe të sfidohen stereotipat gjinorë”, pohon Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Shqipëri.
“Mjedisi për të bërë biznes dhe për të qenë një sipërmarrëse e suksesshme ka ndryshuar 360 gradë. Edhe kushtet për të nisur një aktivitet janë bërë më të thjeshta.
Shoqëria ka përparuar dhe nuk ka ndasi mes grave dhe burrave”, thekson Kristina Papa, CEO e “Intercom”, distributori kryesor i kompanisë së telefonisë celulare ONE, që e ka nisur aktivitetin në vitin 2001 dhe është aksionere e vetme.
Por, ajo shton se edhe pse mjedisi i të bërit biznes është përmirësuar ndjeshëm dhe një grua e ka më të lehtë të jetë sipërmarrëse e suksesshme, sot nuk ofrohen shumë stereotipa për fuqizimin e saj.
“Me pasion, punë, disiplinë dhe me sakrificë gjithçka është e mundur. Nuk ka ashensor që të çon drejt suksesit, përveç shkallëve që në fakt janë të lodhshme, por të pashmangshme”, thotë Vojsava Bardhi, bashkë themeluese e agjencisë “Sava Tours” .
“Rajoni ynë ka një brez të shkëlqyer të vajzave të reja, niveli i arsimimit të të cilave është dukshëm më i lartë se në gjeneratat e mëparshme.
Njohja e potencialit të tyre dhe dhënia e mundësive financiare për të mbështetur punësimin apo nismat e tyre në sipërmarrje, mund të jetë, e them pa drojë, çelësi për të transformuar rajonin tonë”, thotë Majlinda Bregu nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, me seli në Sarajevë./Monitor
Burimi