PS-PD e shohin ndryshe opinionin e Venecias për Xhaçkën! Spiropali: U lehtësuam. I përgjigjet Bardhi: Lexoje edhe njëherë!

PS-PD e shohin ndryshe opinionin e Venecias për Xhaçkën! Spiropali: U lehtësuam. I përgjigjet Bardhi: Lexoje edhe njëherë!

Gazment Bardhi dhe Elisa Spiropali

TIRANË- Komisioni i Venecias ka shkaktuar një përplasje të re mes palëve politike në Shqipëri. Edhe pse tashmë ka një raport nga Venecia, çështja e mandatit të deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka i ka ndarë palët më shumë se më parë. Disa orë pas publikimit të raportit, edhe pse ishte vetë në sallë kur Venecia diskutoi për çështjen, kryeparlamentarja Elisa Spiropali tha se tashmë është e qartë për të gjithë se qëndrimi i PS për Xhaçkën nuk ishte një qëndrim as partiak, por kushtetues që lidhet me sovranitetin e Kuvendit.
“Sot morën përgjigje edhe të gjitha akuzat, shpifjet dhe propaganda me të pavërteta kundër këtij qëndrimi, por si Kryetare Kuvendi ndjehem e lehtësuar dhe për këtë falenderoj Komisionin e Venecias që e shqyrtoi me shpejtësi dhe seriozitet maksimal kërkesën time. Kam bindjen se ky opinion i drejtë do t’u shërbejë të gjitha palëve dhe institucioneve për reflektim,”-shkroi ndër të tjera Spiropali.
Përgjigjen e mori nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ka reaguar sërish për çështjen. Sipas Bardhit, Spiropali po dezinformon pasi për të Venecia e thotë qartë që Kuvendit duhet të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Kryetarja e Kuvendit duhet ta rilexojë edhe njëherë opinionin e Komisionit të Venecias, ta kuptojë dhe ta zbatojë. Dezinformimi i saj që vazhdon edhe pasi opinioni është publik tregon se ka një tentativë për të vijuar me mbrojtjen e paprecedent ndaj deputetëve që shkelin kushtetutën për përfitime personale,”-replikon Bardhi.
Ndërkohë që reagimet vazhdojnë e duket se kulmin do ta kenë në seancën plenare të të enjtes në Kuvendin e Shqipërisë.
REAGIMI I KRYETARES SË KUVENDIT:
Besoj tani është e qartë për të gjithë se qëndrimi ynë lidhur me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshem të Kuvendit! Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe kjo nga ne është lexuar jo thjesht si ndërhyrje në pavarësinë e Kuvendit, por në radhë të parë si një vendim i pazbatueshëm për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon deputetit se si të votojë! Sot morën përgjigje edhe të gjitha akuzat, shpifjet dhe propaganda me të pavërteta kundër këtij qëndrimi, por si Kryetare Kuvendi ndjehem e lehtësuar dhe për këtë falenderoj Komisionin e Venecias që e shqyrtoi me shpejtësi dhe seriozitet maksimal kërkesën time. Kam bindjen se ky opinion i drejtë do t’u shërbejë të gjitha palëve dhe institucioneve për reflektim në zgjidhjen drejt të çështjeve në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit në të ardhmen.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI, NDAJ QËNDRIMIT TË KRYETARES SË KUVENDIT
Kryetarja e Kuvendit duhet ta rilexojë edhe njëherë opinionin e Komisionit të Venecias, ta kuptojë dhe ta zbatojë. Dezinformimi i saj që vazhdon edhe pasi opinioni është publik tregon se ka një tentativë për të vijuar me mbrojtjen e paprecedent ndaj deputetëve që shkelin kushtetutën për përfitime personale, tërësisht në të kundër të asaj që Komisioni i Venecias këshillon. Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nga sot ka vetëm një detyrim: Të zbatojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, siç këshillon në opinionin e tij edhe Komisioni i Venecias. Çdo deformim apo devijim nga thelbi i opinionit dhe përhumbja nga detaje pa thelb nuk ndihmojnë në forcimin e demokracisë dhe as të shtetit ligjor.
Për çështjen e Xhaçkës, në konkluzionet e nxjerra nga Komisioni i Venecias, ekspertët dalin në përfundimin se Kuvendi duhet që të njohë detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si një “normë të gjithëditur”. Por po ashtu, Komisioni i Venecias thekson se pavarësisht se Kuvendi duhet që të njohë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, deputetët sërish nuk mund që të detyrohen të votojnë në një mënyrë të caktuar. Megjithatë shtojnë se gjithsesi vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë detyrim i deputetëve për të votuar në një mënyrë të caktuar, por si “një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës” dhe besnikërisë ndaj kushtetutës./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente