
PROPOZIMI, a do të legalizohet prostitucioni në Shqipëri?

Foto ilustruese
TIRANË– Në Shqipëri po konsiderohet legalizimi i protitucionit! Lajmin e dha drejtori i Magjistraturës Arben Rakipi, gjatë një interviste në RTSH tha se po konsiderohet hartimi i një drafti ligjor, që do të prezantohet publikisht edhe gjatë muajve në vijim.
Gjatë intervistës, ish-kryeprokurori, e konsideroi prostitucionin një plagë sociale.
“Duam, nuk duam rrethanat në këtë vend kanë ndryshuar. Ky fenomen social i rëndë, një plagë do të thojë në konceptin dhe pikëpamjet e mia morale është i atillë; po shgtyn këtë stukturë ligjore që të bëhet i pranueshëm. Duhet respektuar e drejta njerëzore e gruas, por edhe e burrave që ta shijojnë vetë trupin e tyre, të mos shfrytëzohen. Ky është një standard që është pranuar në shumë legjislacione. Kjo është çështje për ta diskutuar,”-tha në fjalën e tij Rakipi.
Prostitucioni në Shqipëri është i paligjshëm, por nuk është një fenomen i zhdukur, përkundrazi! Në kohën e Mbretit Zogu I, për të kontrolluar sëmundjet seksualisht të transmetueshme, u vendos hapja e shtëpive publike. Kjo për shkak se krahas malarias, që merrte jetën e shqiptarëve, sëmundjet veneriane/seksuale zinin një peshë të konsiderueshme në statistikat e kohës. Kështu, në postin e ministrit të Brendshëm,Ahmet Zogu vendosi që prostitucioni të legalizohej.
Me synimin për të realizuar një përshtatje më të arrirë, ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, zgjedh një rregullore të ish-Perandorisë Austro-Hungareze, që niste me përcaktimin konceptual të prostitucionit. Në 26 pikat e rregullores, vajzat dhe gratë paralajmëroheshin për anët negative të profesionit. Sipas rregullores, vajzat duhet të mbështilleshin në shtëpi të përgjithshme, apo bordello dhe duhet të regjistroheshin në polici. Punonjëset e seksit duhet të shkonin në mënyrë taksative dy herë në javë për vizitë te një mjek i quajtur “qeveritar” firma e të cilit në kartelat e personalizuara lejonte apo ndërpriste aktivitetin e tyre.
Legalizimi i prostitucionit parashikonte rregulla të rrepta edhe për pronarët e shtëpive publike, të drejtat dhe kufizimet e pushtetit të tyre, ndarjen e fitimit etj. Po kështu, në rregullore përcaktohehshin edhe kushtet higjienike që shtëpitë publike duhet të përmbushnin me qëllim që të nisnin veprimtarinë. Me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës, ky koncept u zhbë. Në fillim të viteve 1990, prostitucioni në Shqipëri ishte praktikisht i panjohur.
Por ndër vite, ky fenomen nuk është zhbërë, përkundrazi vazhdon, madje dhe me të huaja që vijnë dhe operojnë në vendin tonë. Prej vitesh tashmë, Policia e Shtetit sjell njoftime për kapjen e vajzave dhe grave të huaja që shfrytëzohen në Shqipëri. Sipas nenit 114 të Kodit Penal, vepra “shfrytëzimi i prostitucionit” dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet me të mitur, ndaj disa personave, me persona me të cilët ekzistojnë lidhje të afërta gjinie, krushqie, kujdestarie, apo duke përfituar nga raportet zyrtare, ose kryhet në bashkëpunim apo më shumë se një herë, ose nga persona të ngarkuara me funksione shtetërore dhe publike, dënohet me burgim nga 7-15 vjet.
Mesa duket ka një plan për të ndërhyrë, por ende nuk dihet asnjë propozim konkret. Po ashtu, është e paqartë edhe qëndrimi që do të mbajnë partitë politikë dhe shoqëria civile për draftin e ri ligjor./ZËRI