Prokuroria pranon kërkesën e PD, nis verifikimet për kryebashkiakun e Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj

Prokuroria pranon kërkesën e PD, nis verifikimet për kryebashkiakun e Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj

Tonin Marinaj

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimin për figurën e kryebashkiakut të Malësisë së Madhe, Tonin Marinajn. Përmes një letre për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokuroria kërkon nga KQZ si organi i vetëm që administron formularin e vetëdeklarimit që të kërkojë verifikimin e subjektit të kërkuar nga deputetët e Partisë Demokratike. Kështu, pritet që KQZ të dërgojë pranë Prokurorisë së Përgjithshme formularin e Marinajt. 
”Në referencë të nenin 8, pikat 1 e 4, të ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, si dhe Kreun III, pika 3 shkronja “c”, dhe Kreut V, pika 4, të Vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, kryerja e verifikimit të të dhënave nga Prokuroria e Përgjithshme kërkohet nga organi përgjegjës për administrimin e formularit të vetëdeklarimit që është i ngarkuar për marrjen e kërkesës për verifikim, sipas këtij ligji, në çdo rast nëse kërkohet nga një prej subjekteve që gëzojnë të drejtën e nismës për verifikimin e të dhënave, sipas nenit 7, të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, thuhet në kërkesë.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i ka dërguar dy ditë më parë një kërkesë zyrtare Prokurorit të Përgjithshëm për verifikimin e kryebashkiakut socialist. Kjo pasi, pretendojnë se ky i fundit akuzohet nga Prokuroria e Antimafias Italiane si drejtues i një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës. Pas kërkesës së bërë nga PD, një reagim erdhi nga vetë kryebashkiaku, i cili u shpreh i hapur për t’u verifikuar nga drejtësia. 
KËRKESA E PD:
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar që Prokurori i Përgjithshëm të verifikojë sipas ligjit të dekriminalizimit figurën e Kryetarit aktual të Bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj. Kërkesa është firmosur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi dhe deputetët Dhurata Cupi, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Ramadan Likaj, Sorina Koti, Albana Vokshi, Luan Baci, Elda Hoti, Edmond Spaho, Emilja Koliqi, Flamur Hoxha, Oerd Bylykbashi, Agron Gjekmarkaj, Bledion Nallbati dhe Asllan Dogjani.
Nga informacionet që disponohen nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Tonin Marinaj, me detyrë Kryetar i Bashkisë së Malësisë së Madhe, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, në kuptim të ligjit nr. 138/2015. Kjo kërkesë bëhet në kushtet kur ekzistojnë të dhëna dhe informacione, që ngrenë dyshimin e arsyeshëm, se subjekti Tonin Marinaj, ka kryer veprimtari të paligjshme, si më poshtë vijon:
1. Në datën 5 qershor 2015, Drejtoria Rajonale Antimafia, e Prokurorisë së Republikës, pranë Gjykatës së Firences, e përfaqësuar nga prokurori Dr. Giulio Monferini ka njoftuar mbylljen e hetimeve paraprake ndaj personave të hetuar, ku rezulton se shtetasi Tonin Marinaj, lindur në Shqipëri, më 05.12.1996, është në rolin e themeluesit, nxitësit dhe drejtuesit të një organizatë kriminale e përbërë prej më shumë se dhjetë anëtarësh, me tipare ndërshtetërore, me baza vepruese në Shqipëri dhe Itali, e angazhuar sistematikisht, profesionalisht dhe në vazhdimësi në eksportimin në territorin italian të sasive të mëdha të mariuanës për t’u shpërndarë me pakicë nga anëtarët e organizatës kriminale. Hetimet janë kryer në kuadër të procedimeve penale nr. 1615/2010, nr. 14109/2010 dhe nr. 15892/2011 të Prokurorisë Antimafia në Firence.
2. Sipas informacioneve përshkruhen në detaje episodet e trafikimit të lëndës narkotike të llojit mariuanë, si dhe bashkëpunëtorët për kryerjen e këtij aktiviteti, përkatësisht: (i) Episodi i parë: Kreu i organizatës kriminale Tonin Marinaj ka organizuar dhe drejtuar importimin në territorin italian dhe shpërndarjen tek anëtarët të 50 kilogramëve mariuanë në Firence, në datën 29.05.2010; (ii) Episodi i dytë: Kreu i organizatës Tonin Marinaj ka organizuar dhe drejtuar importimin në territorin italian dhe shpërndarje tek anëtarët për shitje të jo më pak se 75 kilogramëve mariuanë, në Firence, në datën 14.06.2010; (iii) Episodi i tretë: Kreu i organizatës Tonin Marinaj ka organizuar dhe drejtuar importimin në territorin italian dhe shpërndarjen tek anëtarët e 42 kilogramëve mariuanë, pjesë e një sasie prej 388 kilogramësh mariuanë të magazinuar në Firence, në Firence, në datën 23.07.2010. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në këtë magazinë është gjendur edhe një pistoletë e kalibrit 9 mm dhe 100 gramë kokainë.
3. Në datën 29 mars 2016, prokurori Giulio Monferini ka depozituar në Gjykatën e Firences kërkesën për gjykim në kuadër të procedimit penal nr. 1615.10 RGNR mod.21 në ngarkim të disa shtetasve, përfshirë shtetasin Tonin Marinaj. Në përmbajtje të këtij akti janë parashtruar tre episodet e mësipërme, si dhe janë përshkruar provat mbi të cilat bazohet akuzat, të cilat kryesisht lidhen me përgjime telefonike në numrave dhe pajisjeve që kanë përdorur anëtarët e organizatës kriminale, e dyshuar si e drejtuar nga shtetasi Tonin Marinaj. Në datën 12 maj 2016, Zyra e Gjykatës për Hetime Paraprake, pranë Gjykatës së Firences, me gjyqtar Angelo Antonio Pezzuti pasi ka shqyrtuar kërkesën për gjykim dhe provat në ngarkim të të pandehurve, ku sërish relatohet se Tonin Marinaj është drejtuesi, organizuesi dhe nxitësi i organizatës kriminale të angazhuar në trafikimin e lëndës narkotike të llojit mariuanë, ka vendosur caktimin e seancës gjyqësore paraprake në dhomë këshillimi në datën 13 tetor 2016.
Për këtë arsye, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar fillimin e menjëhershëm të verifikimit të thelluar të të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit nga shtetasi Tonin Marinaj, me detyrë kryetar i Bashkisë Malësi e Madhe, si dhe referimin e gjetjeve përkatëse, për hetime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Posacme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), për nisje të hetimeve për dyshimin e arsyeshëm të kryerjes së veprës penale të fshehjes së të dhënave në formularin e vetëdeklarimit apo veprimtari të tjera kriminale.
Burimi