Projektligji për armët, PS e fut në seancë me procedurë të përshpejtuar, opozita kundër

Projektligji për armët, PS e fut në seancë me procedurë të përshpejtuar, opozita kundër

Seanca ne kuvend

TIRANË- Ka nisur me debate seanca e sotme në Kuvend, ku do të raportojnë drejtuesit e institucioneve të drejtësisë. Shkak për këtë është bërë vendimi i mazhorancës për të kaluar me procedurë të përshpejtuar porjekt-ligjin për armët dhe municionet. Drejtuesja e seancës plenare, Ermonela Felaj deklaroi se në seancën e 25 Korrikut do të bëhet shqyrtimi i këtij projektligji.
“Dëshiroj të ju njoftoj se nga Këshilli i Ministrave na është kërkuar shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve dhe teknologjive ushtarake. Projektligji njoftohet në seancën më të parë plenare”, tha Felaj.
Për këtë draft, komisioni përgjegjës do të jetë ai i Sigurisë Kombëtare, ndërsa për dhënie mendimi do të jenë Komisioni i Ligjeve dhe Komisioni i Ekonomisë.
“Rregullorja është e qartë. Një folës pro dhe një folës kundër. E kuptoj garën që ka mes kolegëve opozitarë dhe e kuptoj që procedurialistët dalin mbi procedurialistët. Rregulloja e Kuvendit ka parashikuar që është në diskrecionin e Këshillit të Ministrave t’i kërkojë Kuvendit një procedurë të përshpejtuar. Ka sjellë një projektligj të ri. Do keni gjithë kohën që ta shqyrtoni në komision, ta denonconi në mitingjet tuaja. Sot kjo seancë plenare ka diskrecionin të vendosë. Ju lutem drejtuese e seancës vazhdojmë me votimin”, tha Toni Gogu. 
Opozita e kundërshtoi kalimin me procedurë të përshpejtuar të këtij pr/ligji.
“Sa i takon kërkesës së Këshillit të Ministrave për procedurë të përshpejtuar, na njoftoni për tregtimin e armëve për ta ditur dhe ne. Ne duam të dimë se çfarë nevoje ka prezantuar në kërkesë Këshilli i Ministrave. Pa ditur motivet që ka parashtuar në kërkesë Këshilli i Ministrave, nuk mund të japim opinionin tonë për këtë çështje”, deklaroi Bardhi.
Ndërkohë që edhe Jorida Tabaku, hodhi dyshime në lidhje me përfituesit real të këtij projektligji që po futet me nxitim në Kuvend.
“Ligji i armëve u ndryshua para dy muajsh sepse një operator që merrej me shpërndarje e tre kërkoi që në listë të futeshin 2 lloje të ndryshme armësh municionesh. Pra dy muajsh gjithë Parlamenti e ndryshoi ligjin me këtë kërkesë, komisionet brenda ditës u mblodhëm. Po ky ligj është ndryshuar para 6 muajsh. Çfarë është kaq urgjente për ligjin e armëve që nuk u ndryshuar nga një operator tjetër që e ka kërkuar këtë?
Pyetje legjitime, u mblodh parlamenti sepse një ofrues që shiste armë kërkoi ndryshimin e listës. Tani po kërkoni sërish parlamenti të mblidhet. Si mund të mblidhemi me kërkesë të një operatori? Kush janë arsyet që nuk u ndryshuan dot para dy muajsh e po kërkohet të ndryshohet tani. Ky është një ligj jo i thjeshtë ka debat dhe prek shumë interesa, është i përafruar me legjislacionin e BE”, u shpreh Tabaku./ZËRI 
Burimi